Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga mbledhja e fillimvitit me strukturat e PS-së në Lezhë.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rama shkruan se mbledhja e fillimvitit u organizua për të diskutuar “mbi prioritetet e 2024 në parlament, qeveri dhe parti”.
Top Channel raportoi më herët se gjatë këtij takimi kryeministri Edi Rama e vuri theksin në përmirësimin e punës të komisioneve parlamentare dhe një forcim të më tejshëm të partisë në bazë. Kjo kërkesë e kryeministrit erdhi pas fjalës të kryetarit të grupit parlamentar Bledi Çuçi.
Burime për gazetarin Muhamed Veliu konfirmuan se në fjalën e tij Bledi Çuçi është fokusuar te seancat e shkuara plenare, duke i bërë një bilanc sa interpelanca janë zhvilluar, sa mocione me debat, projektligjet e depozituara në Kuvend, nga të cilat sa prej qeverisë e sa prej deputetëve. Çuçi gjithashtu ka analizuar prezencën e deputetëve në seanca plenare, mbledhje grupi e komisione. Në këtë mbledhje, është diskuar po ashtu takimet e ministrave me deputetët. Sa diskutime ka pasur nëpër komisione për Buxhetin dhe Paketën Fiskale.
Në fokus të analizës së Bledi Çuçit, ishte edhe performanca e deputetëve në debate publike, diskutimet në seanca e komisione dhe prezenca në zonat elektorale.
Pjesë e disktutimit ishte vijimësia e jetës parlamentare pas incidenteve dhe bllokimit të opozitës. Ligjet në Kuvend që duan shumicë të cilësuar, si amnistia e të dënuarve apo të tjera nisma që duan 84 vota.
Top Channel