Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur këtë mëngjes në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
I shoqëruar nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj, Beqaj iu drejtua godinës së qelqtë, ku u thirr nga prokurori Edvin Kondili si person nën hetim për të dhënë shpjegime për sterilizimin.
Për ish-ministrin, GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Prokurorët e SPAK prej tre vitesh e kishin nën hetim ish-ministrin socialist të Shëndetësisë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrje në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”. Për llogari të këtij hetimi, në 17 Gusht 2023 SPAK arrestoi ish-zëvendës ministrin e shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit të sterilizimit.
Ndërkohë, në funksion të hetimeve, në fund të vitit të kaluar, u ushtruan kontrolle në banesën dhe disa kompani farmaceutike në pronësi të Beqajt.
Top Channel