Berisha në “arrest shtëpie”, Luçiano Boçi ofertë Bashës! Bejko i tregon “vijën e kuqe”: Manovra e disa individëve…

09/01/2024 20:17

Nënkryetari i PD-së zyrtare, Roland Bejko ka reaguar pas thirrjes së nënkryetarit të PD-së së Rithemeluar, Luçiano Boçi, për bashkëpunim ndaj Lulzim Bashës pas vendosjes së Berishës në “arrest shtëpie” nga GJKKO.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Bejko i ka treguar edhe njëherë “vijën e kuqe” fraksionit tjetër të PD-së duke theksuar se manovra e disa individëve për t’i shërbyer Berishës në betejën e tij kundër drejtësisë, SHBA dhe Britanisë së Madhe tregojnë mjerimin e tyre.

Sipas Bejkos, Rama dhe Berisha janë dy personat më të interesuar për shkatërrimin e SPAK dhe institucioneve të drejtësisë.

“Manovra e disa individëve për t’i shërbyer Sali Berishës në betejën e tij kundër drejtësisë, SHBA dhe Britanisë së Madhe tregojnë mjerimin e tyre. Dy njerezit më të interesuar sot për shkatërrimin e SPAK dhe institucioneve të drejtësisë janë Sali Berisha dhe Edi Rama. Ata kanë qenë dhe janë bashkë prej dy vjetësh në betejën kundër drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Për të njëjtat arsye, për të mbrojtur veten dhe familjarët e tyre.

Pretendojnë se janë opozitë dhe ditë për ditë sulmojnë SPAK, SHBA, Britaninë e Madhe, është të vazhdosh t’u hedhësh hi syve demokratëve që mbajnë zvarrë me lloj lloj gënjeshtrash e mashtrimesh prej më shumë se dy vjetësh, ndërkohë hipokritët “opozitarë,” nga ana tjetër vazhdojnë të marrin tendera e leje ndërtimi nga pushteti i Ramës. Hallet e Sali Berishes dhe atyre që sot bëjnë tellallin e tij nëpër media, nuk janë problemet e PD.

Interesi i PD është t’u garantohet vota emigrantëve dhe shqiptarëve të zgjedhin vetë deputetin e tyre përmes listave të hapura. Prioriteti i PD është vetingu i politikanëve, hartimi i një programi për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe ofrimi i një alternative që u kthen shpresën dhe besimin njerëzve te vendi dhe politika.  Kjo është platforma që bashkon çdo shqiptar e politikan që kërkon që Shqiperia të ndryshojë. Lojrat për ta shndëruar PD në mburojë të Sali Berishës kane marrë fund shumë kohë më parë”- tha Bejko.

Më herët, në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Luçiano Boçi konfirmoi se negociatat për bashkimin nuk po vijojnë vetëm brenda radhëve të demokratëve por janë shtrirë edhe tek aleatët.

Po punohet për një proces bashkimi jo vetëm brenda PD, por edhe në pjesën e partive të opozitës, që janë të gatshme të bëhen pjesë e këtij fronti dhe të aksioni opozitar, jo thjeshtë zgjedhor, por edhe aksionit që pararend situatën zgjedhore. Bisedimet dhe procesi vazhdon. Aktet e bashkimit do të zbardhen dhe do të bëhen të ditura në ditët në vijim”- tha Boçi, ndërsa i bëri thirrje “deputetit” Basha për unifikimin e partisë, duke shtuar se me bashkimin e PD-së ai është gjithmon i fituar.

“Basha është deputet dhe në momentin që do të fillojë të bëjë opozitë, dhe do e dëshmojë këtë me aksion opozitar, me bashkim me PD, ai gjithmonë është i ftuar. Ne momentet që vazhdon të jetë patericë e qeverisë, duke i shërbyer totalisht asaj me qëndrime dhe propozime ligjore, siç është ligji për shpifjen nuk besoj se ka dëshirë të jetë pjesë e frontit opozitar.

Ne jemi njerëzor, parti e djathtë, parti që pranon dhe fraksionin brenda saj nëse duan të bëjnë luftë ndaj Ramës. Zemërgjerësia e demokratëve është e tillë që ti pranojë dhe të bëhen edhe ata pjesë e aksionit politik. I ftojmë të vijnë edhe tek pjesa, kemi ftesën publike tek pelegrinazhi që bëjmë çdo natë aty në mbështetje të pluralizmit dhe demokracisë “, tha Boçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA