Presidenti i Ukrainës thotë se vendi i tij mund ta mposhtë Rusinë, me mbështetjen e vazhdueshme dhe në rritje të Perëndimit.
Deklarata vjen ndërsa agresioni rus po hyn në vitin e tretë. Forcat ruse vazhduan ndërkaq sulmet me dronë dhe raketa, që sipas hetuesve ukrainas furnizohen tashmë nga Koreja e Veriut. Ekipet e emergjencave në qytetin ukrainas Dnipro luftonin me flakët të shtunën pas një sulmi me dronë të forcave ruse. Forcat ajrore ukrainase njoftuan në rrjetin Telegram se patën shkatërruar gjatë natës 21 nga 28 dronët e nisur, por nuk përmendën edhe tre raketat me vetëdrejtim që ishin gjithashtu pjesë e këtij sulmi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u shpreh se vetëm me bashkëpunim të shtuar, mund të mposhtet agresioni rus.
“Për të krijuar një arsenal për mbrojtjen e lirisë, Evropës i duhet prodhim i përbashkët i armëve, shumë më tepër prodhim se tani. Shohim se ambiciet agresive të Rusisë mund të ndalen vetëm aty ku ka fuqi të mjaftueshme për t’i ndalur dhe ne mund ta ofrojmë një fuqi të tillë vetëm së bashku”, tha presidenti ukrainas gjatë një lidhjeje me video me Konferencën Vjetore Kombëtare për Shoqërinë dhe Mbrojtjen, të mbajtur në Suedi.
Kjo pikëpamje ishte shprehur më herët nga drejtuesi ukrainas për industrinë e mbrojtjes. “Tashmë po përqëndrohemi që ta bëjmë Ukrainën arsenalin e botës së lirë. Po përqendrohemi që të prodhojmë të gjitha llojet e armëve dhe municioneve, që të tregojmë se mundemi t’i testojmë në fushëbetejë dhe t’i përmirësojmë gjatë luftës. Kjo është diçka me të cilën mund të kontribuojmë për botën e lirë”, tha Oleksandr Kamyshin, Ministër i Ukrainës për Industritë Strategjike.
Gjatë ditëve të fundit të vitit 2023 dhe ditëve të para të 2024-ës, Rusia ka nisur mbi 300 raketa dhe mbi 200 dronë në sulmet ndaj Ukrainës. Megjithëse deri më tani Rusia mbështetej tek përdorimi i dronëve iranianë, hetuesit ukrainas dhe Shtëpia e Bardhë thonë se tashmë Rusia ka filluar të fusë në përdorim raketat e furnizuara nga Koreja e Veriut. Ky zhvillim konsiderohet si një përshkallëzim domethënës. Rusia dhe Koreja e Veriut vazhdojnë ta mohojnë partneritetin e tyre.
Kjo nuk do të thotë megjithatë se Rusia ka hequr dorë nga futja në përdorim e raketave të saj konvencionale. Presidenti Zelenskyy tha se forcat ruse kanë goditur me raketat S-300 në rajonin Donetsk, duke vrarë të paktën 11 persona, gati gjysma e tyre fëmijë. Me sulmin rus tashmë pothuajse në vitin e tretë, Kievi vazhdon të kërkojë mbështetje materiale, ndërsa u bën thirrje partnerëve perëndimorë që ta shohin vendin si një hallkë qendrore për prodhimin e armëve./ VOA
Top Channel