Lufta në Lindjen e Mesme hyri në ditën e 94-të, pa asnjë shenjë të zbutjes së saj.
Protesta të reja janë zhvilluar sot në Jeruzalem nga përkrahës të lëvizjes “Changing Direction” dhe koalicionit “Elections Now”, tubuesit bllokuan këtë mëngjes hyrjen kryesore të godinës së Knessetit atje me kërkesën për zgjedhje të reja dhe ndërrimin e menjëhershëm e qeverisë me qëllimin të përjashtohen nga ekzekutivi i vendi elementët ekstremistë. Shtypi izraelit thotë se organizatorët e protestës mes të tjerash e shohin si të shuar çdo shpresë që qeveria aktuale të ngrihet në nivelin e emergjencës, çka reflektohet sipas tyre në mosfunksionimin e duhur të saj dhe një goditje fatale të dhënë, siç thonë, imazhit të shtetit.
Ushtria izraelite sakaq flet për luftime intensive në jug të Gazës dhe kundër Hezbollahut. Shkëmbimet ndërkufitare të zjarrit mes trupave të shtetit hebre dhe grupit militant të mbështetur nga Irani në Liban ngjallin edhe më shumë shqetësim në kohën kur diplomatë amerikanë e të BE-së po vizitojnë rajonin me shpresën të parandalojnë një shtrirje të rrezikshme të konfliktit atje. Policia e Tel Avivit pranoi ndërkohë se vrau aksidentalisht një vajzë palestineze 4-vjeçare në përpjekje për të neutralizuar burrin që drejtonte një makinë që u përplas me një postbllok në Bregun Perëndimor.
“Save The Children” jep alarmin duke thënë se mbi 10 fëmijë në ditë, mesatarisht, kanë humbur një ose të dyja këmbët në Gaza që nga fillimi i konfliktit tre muaj më parë. Një ditë më parë, sekretari i Shtetit Antony Blinken pohoi se në takimet me zyrtarët izraelitë këtë javë, ai do të kërkojë që të bëhet më shumë në shmangien e viktimave në mesin e civilëve në Rripin e Gazës.
Duke folur në një konferencë shtypi në Doha pas takimit me Emirin e Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, shefi i diplomacisë amerikane tha se civilët palestinezë duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ndaj tyre nuk duhet ushtruar trysni për t’u larguar nga Rripi i Gazës.
Top Channel