Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hita ka rrëfyer detaje nga hetimet mbi vetëvrasjen e Bedrie Lokës, dhe rrjedhën që mori ngjarja nga vetëflijim për shkak të bullizimit online, në vetëvrasje në kushte të rënduara psikologjike për shkak të dhunës në familje.
Në një lidhje me skype në emisionin “Top Story” në Top Channel, Hita tha se pas kallëzimit të Bedrie Lokës në vitin 2022 për faqen e hapur në TikTok në emër të saj, i është dërguar kërkesë aplikacionit por nuk ka pasur përgjigje. Gjithashtu nuk ka pasur asnjë indicje të vetme nga familjarët në Policinë e Shtetit për rastin, kjo është arsyeja pse nuk është ndërhyrë për të marrë masa.
Hita: Nuk kemi pasur asnjë të dhënë që ky person është dhunuar, shantazhuar nga bashkëshorti. Patjetër që në qoftë se ne do të kishin një denoncim, ose qoftë edhe një indicje ne nuk do të ishim në këto kushte. Qoftë edhe një shqetësim që do të kishim nga të afërmit e të ndjerës ne do të kishim ndërhyrë. Ne kemi bërë të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale për rastin, dhe jemi në këto kushte sot që burri i saj, i cili e ka shtyrë drejt vetëvrasjes është arrestuar.
Duma: Pse mendoni kështu? Pse mendoni se e ka shtyrë bashkëshorti drejt vetëvrasjes?
Hita: Dhuna fizike dhe psikologjike ndaj të ndjerës na ka bërë që të nisim hetimet për të zbuluar rrethanat dhe përmes procesverbaleve dhe deklarimeve, gjithashtu videot që janë, na detyruan ne për të marrë këto masa.
Duma: Cilat janë rrethanat që çuan deri në këtë pikë?
Hita: Ka shumë faktorë. Tani unë nuk dua të analizojë familjen por janë faktorët ekonomik, social dhe kulturor për të cilat ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë si shoqëri.
Duma: Tik Tok që është një bullizim që ka shkaktuar plagosje me armë dhe krime më të vogla se ky, çfarë mund të bëni për të ndaluar këtë?
Hita: Patjatër që ne kemi në mbikqyrjen shumë nga këto kanale të Tik Tokut. Por duke qenë se ka shumë përdorues ne veprojmë duke parë, mbajtur nën vëzhgim, personat me precedentë penal që në momentin që e shohim të nevojshme, ndërhyjmë për t’i vënë ata para ligjit.
Duma: Pas arrestimit të bashkëshortit do të hetohen persona të tjerë të familjes së tij?
Hita: Patjetër edhe sot ka ndodhur. Ne ndërkohë presim edhe përgjigje nga Tik Tok-u…
Duma: Po, ajo ka një vit që nuk vjen… Skënder, a ka pasur persona të tjerë nga familja e të ndjerës që e kanë shtyrë atë të kryej aktin e vetëflijimit? Dua të them patjetër që ka pasur.
Hita: Patjetër që ka pasur.
Duma: Si do të konsiderohen ata?
Hita: Ata kanë qenë të detyrtuar të njoftonin në Polici, të jepnin qoftë edhe një indicje. Përsakohë kjo s’ka ndodhur, do të ketë veprime të mëtejshme. Ua lëmë hetimeve.
Top Channel