“Fuqia e butë”, çfarë qëndron pas bashkëpunimit të Kinës me Kenian?

08/01/2024 08:16

Mes një debati mbi huatë dhe marrëdhëniet tregtare me Kinën në Kenia, ambasada kineze në Nairobi, po kërkon të forcojë lidhjet kulturore me këtë vend.

Ambasada po përpiqet të realizojë këtë përmes një panairi ushqimor. Dhjetëra njerëz po ndjekin një shfaqje të vallëzimit kinez të luanëve në një hotel në kryeqytetit të Kenias, Nairobi.

Shfaqja u zhvillua së fundmi, gjatë nisjes së panairit të ushqimit kinez, i sponsorizuar nga ambasada kineze dhe organizuar nga shoqata e mësuesve kinezë në Kenia.

Zyrtarë si Michelle Zhang, presidente e kompanisë ‘CINC International Education’, thonë se qëllimi i tyre është të mbështesin kulturën kineze dhe të mbajnë të fortë marrëdhëniet mes Kinës e Kenias.

“Këtë vit është 60-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Kenia-Kinë. Mendoj se ne duhet të mbajmë kontakte gjithnjë e më të afërta dhe të përmirësojmë marrëdhëniet diplomatike”, thotë ajo.

Ekonomisti Eric Masau pajtohet kur thotë se krijimi i lidhjeve më të forta kulturore, është një mënyrë për të kapërcyer hendekun me Kenian.

“Vendet evropiane kanë pasur gjithmonë lidhje shumë të forta. Duke parë Komonuelthin, ose Amerikën, gjuha e përbashkët ka qenë gjithmonë një faktor i madh pozitiv mes Kenias dhe pjesës më të madhe të Evropës, si dhe Amerikës. Për kinezët ka ekzistuar gjithmonë ai boshllëk, veçanërisht pengesa gjuhësore, kështu që ata janë përpjekur të inkurajojnë më shumë kenianë të studiojnë gjuhën”, thotë ai.

Vitet e fundit, kompanitë kineze kanë ndërtuar projekte masive në Kenia, si hekurudha ‘Standard Gauge’ që lidh Nairobin dhe Mombasën.

Në të njëjtën kohë, Banka Qendrore e Kenias thotë se deficiti tregtar mes Nairobit dhe Pekinit u rrit në 3.62 miliardë dollarë në vitin 2022, nga 3.51 miliardë dollarë një vit më parë.

Zoti Musau thotë se infrastruktura është e dobishme për Kenian, por pabarazia tregtare është një sfidë për marrëdhëniet diplomatike.

”Për sa i përket eksporteve, bilanci tregtar është realisht në favorin e tyre (Kinës). Dhe kur shikoni strukturën, në kuptimin se ku do të dëshironin të ishin kenianët, ka shumë pak gjasa, të ketë raport të mirë sa i përket bilancit tregtar, krahasuar le të themi me Amerikën, ku eksportet dhe importet janë pothuajse në ekuilibër”, thotë zoti Masau.

Ekuilibri ishte diçka që Steve Wakoli thotë se i mungonte në jetën e tij përpara se të mësonte gjuhën kineze dhe artet marciale, si kung fu. Tashmë ai e jep mësime të gjuhës kineze dhe ushtron arte marciale.

”Fillova të marr ftesa nga kompani për shfaqje. Vajta për shfaqje në shkolla si ato kineze të Konfucit, në Universitetin Kenyatta, në atë të Nairobit. Kam marrë pjesë edhe në konkursin e quajtur ura kineze dhe kuptova që kjo është ajo që dua të bëj’, thotë Steve Wakoli, mësues i gjuhës kineze.

Por zoti Wakoli është një përjashtim. Shumë kenianë janë të shqetësuar nga ajo që ata thonë se është një përfshirje e tepërt e Kinës në Kenia, veçanërisht në sektorin e shitjeve me pakicë.

”Dikur i blinim veshjet në Kinë, por tani ata kanë dyqanin e tyre këtu dhe ajo që shesin është e lirë. Klientët tanë shkojnë të gjithë në dyqanet e tyre për të gjetur produkte shumë të lira”, thotë Lucy Wanjiku, një tregtare produktesh me pakicë.

Për shkak të projekteve infrastrukturore, borxhi i Kenias ndaj Kinës ishte 6.3 miliardë dollarë që nga marsi i vitit 2023, pothuajse dy të tretat e borxhit total të jashtëm të vendit.

Analistët thonë se programet kulturore, si festivalet e ushqimit, synojnë të lehtësojnë pasigurinë e shkaktuar nga ajo që disa kenianë e shohin si një marrëdhënie e pabalancuar ekonomike./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA