Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka mbërritur në Jordani në orët e para të mëngjesit për të vijuar turin e tij në Lindjen e Mesme.
I ndodhur në kryeqytetin Amman, kryediplomati amerikan është takuar me ministrin e jashtëm të Jordanisë, Ayman Safadi. Burimet amerikane thonë se qëllimi kryesor I Blinken është të ndalojë përhapjen e luftës në rajon, presioni shtohet mbi Izraelin që të ndalojë luftën kundër Hamasit në Gaza.
Blinken do të vijojë takimet në turin e tij edhe në Bregun Perëndimor ku do të takohet me autoritetin palestinez, ndërsa pritet të shkojë edhe në Izrael.
Amerikanët i tremben zgjerimit të luftës, ndërsa në Liban, grupi Hezbollah mbështetur nga Irani ka lëshuar dhjetëra raketa drejt bazave ushtarake të Izraelit në kufi duke bërë që tensionet mes dy vendeve të jenë më të larta se kurrë. Kjo u cilësua një kundërpërgjigje nga Hezbollahu, pas raketës ende pa autorësi që vrau zëvëndës shefin e Hamasit në Beirut dhe që dyshohet të jetë nisur nga Izraeli.
Blinken më herët ishte në Turqi dhe Greqi ku zhvilloi takime të nivelit të lartë me Presidentin Erdogan dhe kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, në shpresën për krijimin e stabilitetit në rajon.
Amerika tanimë kërkon një plan për kontrollin e Gazës pas mbarimit të luftës kundër Hamasit, ndërsa qeveria e ekstremit të djathtë në Izrael ka ende përplasje.
Top Channel