Ushtria izraelite ka deklaruar se ka shkatërruar komandën e Hamasit në Gazën veriore.

Zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari u tha gazetarëve se militantët palestinezë tani po veprojnë në zonë vetëm në mënyrë sporadike dhe “pa komandantë”.

Ai tha se Izraeli kishte vrarë rreth 8,000 militantë në veri të Gazës. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) tani janë të përqendruara në çmontimin e Hamasit në Gazën jugore dhe qendrore, tha ai.

Izraeli ka vrarë më shumë se 22,000 njerëz që nga fillimi i luftës, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza. Të dielën, ministria e Shëndetësisë e Territorit tha se kishte regjistruar më shumë se 113 vdekje gjatë 24 orëve të fundit.

Gaza është shkatërruar gjatë luftës së Izraelit me Hamasin dhe shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të territorit është zhvendosur.

Ofensiva e Izraelit filloi pasi persona të armatosur të Hamasit nisën një sulm të befasishëm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë dhe duke marrë peng rreth 240 njerëz.

Të shtunën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se ai ishte i fokusuar në sigurimin që konflikti i Gazës të mos përhapet dhe të kthehet në “një cikël të pafund dhune”, pasi Hezbollahu gjuajti dhjetëra raketa në territorin izraelit të shtunën, në atë që e quajti një përgjigje paraprake, për vrasjen e një zyrtari të lartë të Hamasit në Bejrut në fillim të kësaj jave.

Top Channel