Moti i keq/ Policia e Shtetit apel drejtuesve të mjeteve: Rrisni vigjilencën dhe tregoni kujdes gjatë lëvizjes

06/01/2024 22:15

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të rrisin vigjilencën dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe erë të fortë në disa qarqe të vendit.

“Përdoruesit e rrugës të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të mos drejtojnë automjetin/motomjetin, në efektin e alkoolit.

Të tregojnë kujdes sepse për shkak të erës së fortë mund të ketë rrëzime të pemëve, ndërsa si pasojë e reshjeve të dendura ka prezencë të ujit në disa akse rrugore”– apelon Policia e Shtetit, duke shtuar se në rast nevoje qytetarët janë të lutur të telefonojnë në numrin 112 dhe zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë shtuar prezencën në rrugët urbane dhe interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për t’iu ofruar ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA