Mbledhja e parë e Kryesisë së Rithemelimit pa ish-kryeministrin, Noka: E thërrasim këtë mbledhje me porosi të Berishës

06/01/2024 13:31

Rithemelimi ka mbledhur sot Kryesinë në selinë e Partisë Demokratike.

Kjo është mbledhja e parë pa ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ndodhet në “arrest në shtëpi”. Deputeti Flamur Noka tha se kjo mbledhje “është thirrur me porosi të Berishës”.

Noka e quajti akt kriminal masën e dhënë ndaj Berishës, dhe akuzoi se arrestimi i Berishës është pa asnjë motiv ligjor, por “strikt politik është defakto arrestimi i opozitës.”

“Me këtë akt politik, pjesë të një skenari të vjetër, Edi Rama dhe regjimi i hapi luftë PD-së, i hapi luftë opozitës shqiptare. Ndaj sot PD dhe demokratët janë në luftë me Edi Ramën. Sali Berisha sot është i burgosur politik i Edi Ramës dhe regjimit të tij. Me këtë vendim kriminal Edi Rama çeli siparin e instalimit defakto të një neodiktature, me këtë akt ai synon të kthejë monizmin dhe të zhdukë opozitën”, tha Noka.

“Sali Berisha, kryetari i kësaj partie dhe lideri historik, është sot i izoluar, i arrestuar, por i pamposhtur. Ai, në një sfidë midis vendimeve antikushtetuese, antiligjore dhe Kushtetutës dhe ligjit zgjodhi Kushtetutën dhe ligjin. Lufta ndaj Sali Berishës është përpjekja e Edi Ramës dhe mafias së George Soros-it për një Shqipëri pa opozitë, apo me një opozitë të kontrolluar nga Edi Rama. D.m.th për një diktaturë të Edi Ramës mbi shqiptarët, që me gjenocid po i shfaros nga vendi i tyre”, shtoi deputeti.

Noka e quajti një strategji dhe një përpjekje për të fshirë nga historia kontributin e Berishës dhe PD, në transformiin epokal të Shqipërisë.

“Skema për ta asgjësuar opozitën është e vjetër, siç e dini. Ata që nuk e besonin në fillim, na japin të drejtë tani. Atë që desh e arritën, përmes blerjes dhe marrjes peng të ish-kryetarit, kaluan në fazën finale: të rrëzojmë liderin”, tha Noka.

Pas deklaratës për mediat, ku Flamur Noka me gjuhën e Sali Berishës, përsëriti se vendimi për arrestimin e ish-kryeministrit është politik, dhe e quajti SPAK-un organizatë kriminale.

Opozita zhvilloi mbledhjen e kryesisë me dyer të mbyllura ku po ndalen në dy pika për diskutim mbi aktualitetin dhe zhvillimet e fundit politike, si dhe mbi vazhdimin e aksionit opozitar.

Top Channel