Drejtoria e Burgjeve ka nisur procedurat për të kërkuar izolim në ‘41Bis’ për Dan Hutrën, që u përpoq të arratisej një ditë më parë.
40-vjeçari, i akuzuar për vrasjen e tri grave dhe plagosjen e tri të tjerave në Tiranë, tentoi arratinë nga burgu i Fierit të enjten por u kap në flagrancë.
Gazetarja Anila Hoxha raporton se po shqyrtohet mundësia për të çuar në “41 Biss” edhe tre të paraburgosurit e tjerë, që ndodheshin në qeli me Hutrën, edhe pse të tre janë të dyshuar për vjedhje, vepër e cila nuk përfshihet në paketën “41 Biss”.
Dan Hutra, Martin Kapllani, Geraldo Veizaj dhe Feti Kovaçi kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuar, ndërsa çarçafët i kishin lidhur si litarë dhe do t’i përdornin për t’u arratisur.
Kush është vrasësi serial i grave Dan Hutra?!
Dan Hutra është autori i vrasjes së tri grave dhe plagosjes së tri të tjerave në Paskuqan dhe Kodër Kamëz. 40-vjeçari aktualisht ndodhet në pritje të gjykimit për masakrën e 1 marsit 2023 ku brenda pak orëve ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri Mevlute Hysën 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Menjëherë pas krimit në Kodër Kamëz, autori lëvizi në rrugën “Besëlidhja”në Bathore, ku u ndal te banesa e familjes Kurti, duke vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe. Në vitin 2007, Dan Hutra ishte dënuar për vrasjen e ish-grus Dafina Havalja, të cilën e goditi dy herë me thikë në zemër e mëlçi.
Top Channel