Foto/ Tri grabitje me dhunë në Itali, arrestohet 29-vjeçari shqiptar, “e fundosi” makina që përdori

05/01/2024 09:51

Një 29-vjeçar është vënë në pranga në Itali, me dyshimin se ka kryer tre grabitje gjatë muajit që lamë pas.

Shtetasi shqiptar, Elis Kanani, u arrestua nga Karabinierët e Zafferana Etnea, pasi ishte shpallur në kërkim për grabitje me dhunë në dy qyteza të zonës së Katanias.

Sipas prokurorisë, mbrëmjen e 2 dhjetorit 2023 ai ka sulmuar një dyqan duhani në Zafferana Etnea, duke kërcënuar pronaren, të cilën e ka kapur me forcë dhe e ka detyruar t’i dorëzojë 600 euro.

Disa orë më vonë, i armatosur me sëpatë, Kanani ka hyrë në një lokal, duke kërcënuar dy punonjësit dhe duke marrë 160 euro, raporton La Sicilia.

Një ditë më pas, ai grabiti një dyqan ushqimesh në Viagrande. Sipas hetimeve të bëra nga Prokuroria e Katanias, ai ka shtrirë në tokë një klient që po përpiqej ta ndalonte dhe më pas mori 200 eurot e mbetura në kasë.

Makina tip “Alfa Romeo” që ai përdori për t’u largua nga vendngjarja dhe që u kap nga kamerat e sigurisë ndihmoi policinë në identifikimin e 29-vjeçarit.

Top Channel