Oscar Pistorius u lirua nga burgu me kusht, pasi kreu nëntë vite burg për vrasjen e të dashurës.
Ish-atleti olimpik qëlloi për vdekje modelen Reeva Steenkamp në ditën e Shën Valentinit, në vitin 2013.
Pas lirimit me kusht, ai do të jetë nën monitorim dhe rehabilitim deri në përfundim të dënimit në vitin 2029. Pistorius pritet të jetojë në shtëpinë e xhaxhait të tij në Waterkloof, në periferi të kryeqytetit të Afrikës së Jugut, Pretoria, dhe të marrë pjesë në programe mbi dhunën me bazë gjinore dhe menaxhimin e zemërimit.
Ai nuk do të lejohet të pijë alkool dhe do të duhet të marrë leje për të udhëtuar ose për të punuar, duke e pasur të pamundur të kthehet së shpejti në pistën e vrapimit.
“Nuk mund të ketë kurrë drejtësi nëse i dashuri juaj nuk kthehet kurrë më. Asgjë nuk do ta kthejë Reeva-n. Ne jemi ata që po vuajmë një dënim të përjetshëm”, tha June Steenkamp, përmes një deklaratë të shpërndarë nga avokati i familjes.
Pistorius u lirua nga akuza për vrasje një vit pas ngjarjes, duke u dënuar me pesë vite burg për vrasje nga pakujdesia, pasi ai pretendoi se e ngatërroi viktimën me një grabitës.
Në tetor 2014, ai u la në arrest shtëpie, por në dhjetor të të njëjtit vit, Gjykata e Lartë e Apelit rrëzoi vendimin dhe e shpalli Pistorius fajtor për vrasje.
Në vitin 2016 ai u dënua me gjashtë vjet burg, më pak se gjysma e afatit minimal 15-vjeçar të kërkuar nga prokurorët. Një vit më pas, Gjykata Supreme vendosi se dënimi ishte i butë dhe e rriti atë në 15 vjet.
Ndërsa vendimi për lirimin me kusht u mor nëntorin e kaluar.
Lirimi parakohe i Pistorius nxjerr në pah çështjen e gjerë të dhunës me bazë gjinore në Afrikën e Jugut. Ky ishte mesazhi i gabuar për vrasës të mundshëm në të ardhmen, tha një grup nga shoqëria civile “Gratë për Ndryshim”.
Pistorius ishte një nga emrat më të njohur në sportin botëror kur qëlloi për vdekje Steenkamp. Ai kishte gjashtë medalje ari në Paraolimpiadat dhe u kualifikua për Lojërat Olimpike.
Burimi: The Guardian
Top Channel