Një borxh i pakthyer mund t’i kishte kushtuar shumë 49-vjeçarit Kelmendi Dolanaku, për të cilin autorët kishin përgatitur një rrëmbim të enjten.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton se Dolanaku dyshohet se u kishte marrë të arrestuarve një shumë parash dhe nuk ia kishte kthyer.
Për këtë arsye, Juljan Brinja, Sandri Brinja, Gjergji Prenga dhe Angelos kishin përgatitur planin për ta rrëmbyer nën kërcënimin e armës dhe për ta bindur me forcë që t’u kthente paratë.
Ngjarja u parandalua nga policia, që ndaloi makinën tip “BMW” në lagjen numër 1 të Sarandës, me të cilën lëviznin autorët dhe brenda saj gjetën armë zjarri dhe litarë. Katër të dyshuarit ranë në pranga dhe ndaj tyre pritet të nisë hetimi për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
Top Channel