Dyzet dokumente gjyqësore që përmbajnë informacione për bashkëpunëtorët e pedofilit të ndjerë Jeffrey Epstein, përfshirë ish-presidentët e SHBA Donald Trump dhe Bill Clinton, janë bërë publike mbrëmjen e djeshme pas urdhrit të një gjykate amerikane, ndërsa pritet që në javët në vijim të zbardhen të tjera pjesë.
Regjistrimet gjyqësore janë të përfshira në një padi për shpifje të ngritur kundër Ghislaine Maxwell nga viktima e Epstein, Virginia Giuffre në 2015, pasi ajo e quajti atë si gënjeshtare për pretendimet e saj se ishte abuzuar seksualisht si e mitur.
Padia u zgjidh në vitin 2017, por emrat e figurave publike që kanë pasur njohje me miliarderin e akuzuar për abuzim dhe trafikim të të miturave kishin mbetur “nën çelës” deri më tani. Disa prej dokumenteve të publikuara përmendin edhe ish-presidentët amerikanë, Bill Clinton dhe Donald Trump, megjithëse asnjëri nuk është akuzuar për diçka gjë të paligjshme sipas The Independent. Princi Andrew është përmendur gjithashtu disa herë.
Në dhjetor, gjykatësja amerikane Loretta Preska urdhëroi që dokumentet më në fund duhet të çvulosen dhe të emërtohen njerëzit e njohur vetëm si “John and Jane Does”. Gjykatësja Preska konstatoi se nuk ka asnjë justifikim ligjor për të mbajtur emrat në dokumente të redaktuar. Në total, më shumë se 150 bashkëpunëtorë të pedofilit të turpëruar pritet të demaskohen, teksa dokumentet do të publikohen gjatë ditëve në vijim.
Në lidhje me këtë çështje zëdhënësi i Donald Trump, Steven Cheung, pretendon se të gjitha aludimet në lidhje me marrëdhëniet e Trumpit me Epsteinin janë “zhbërë tërësisht”. Trump dhe Epstein thuhet se ishin miq dhe Trump i tha revistës New York në vitin 2002 se ai e njihte Epstein për 15 vjet dhe se ai ishte një “djalë i shkëlqyer”. Ai gjithashtu fluturoi me aeroplanin e tij disa herë, megjithëse u distancua nga komentet pas arrestimit të Epsteinit dhe tha se ata “nuk kishin folur prej vitesh”.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Clinton, Angela Urena reagoi po ashtu duke thënë se asgjë nuk ka ndryshuar që kur ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë ka lëshuar deklaratën për Epstein në vitin 2019, duke theksuar se Clinton “nuk di asgjë” për krimet e tmerrshme të Epstein.
Top Channel