I dashuri i fitueses së llotarisë qëllohet për vdekje natën e vitit të ri në Skoci

03/01/2024 18:14

I dashuri i një prej fitueseve në moshë më të re të llotarisë është qëlluar për vdekje pas një konflikti natën e vitit të ri në Skoci.

28 vjeçarja Jane Parks kishte fituar £1 milionë paundë ($1.22 milionë) në vitin 2013 kur ishte vetëm 17 vjeçe.

Prej një viti ajo ishte e lidhur me 36 vjeçarin Marc Webley, i cili mbrëmjen e të dielës u qëllua për vdekje gjatë një përleshjeje në qytetin e tij të lindjes Edinburgh, Skoci.

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë barit Anchor Inn në veri të qytetit, para se të trokiteshin gotat e ndërrimit të viteve.

Webley ishte në fakt i njohur në skenën e krimit në Edinburgh pasi kishte kryer më parë 11 vjet burg pasi qëlloi me armë një anëtar të një bande rivale krimi.

E reja Park tregonte se kishte folur me Webley natën që ai vdiq.

“Nuk e besoj që jam duke shkruar këtë. Ne folëm një ditë më parë. Sikur të të përkëdhelja dhe të të thoja se gjithçka do të jetë mirë, do të jepja gjithçka për ta bërë Marc,” shkruante ajo të hënën.

Policia kishte rrethuar zonën e krimit ndërsa banorët thanë se fillimisht besonin se të shtënat ishin zhurma fishekzjarrësh.

“Menduam se ishin fishekzjarrë por më pas pamë dritat e policisë dhe të ambulancave”, tha një banor i zonës për rrjetin vendas Edinburgh Live.

Vëllai i Webley, Don, i bënte homazh të ndjerit duke postuar foto të të dyve në rrjetet sociale, pas vdekjes.

FOTO GALERI
1/3
Prej një viti ajo ishte e lidhur me 36 vjeçarin Marc Webley, i cili mbrëmjen e të dielës u qëllua për vdekje gjatë një përleshjeje në qytetin e tij të lindjes Edinburgh

Top Channel