Me kërkesë të Prokurorit të Posaçëm të SPAK, Behar Dibra, Gjykata Antikorrupsion shfuqizoi masën e arrestit me burg për Enio Meçaj, i prangosur si ndihmës i Artan Tafanit.

Ky i fundit konsiderohet nga drejtësia si çelësi që po zbërthen disa krime në vend. Në një seancë me dyer të mbyllura, prokurori Dibra i tha Gjykatës se vepra për të cilën po hetohet Mecaj, ajo e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës, nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, e po ashtu edhe i dyshuari nuk është i rrezikshëm sipas prokurorit.

Por më herët arkitekti Meçaj dyshohej se kishte bashkëpunuar me Tafanin, fill mbas një grabitjeje të pothuaj 40 mijë eurove, në një “Exchange”. Meçaj u identifikua nga policia si një person që i kishte lënë në përdorim garazhin, ku më pas grabitësi kishte fshehur veshjet që përdori gjatë ngjarjes.

Grabitësi Tafani, rezultoi më tej nga hetimet se nuk ishte një shkelës ligji i rëndomtë, por pjesë e një grupi kriminal, që rrëfyer prej tij kishte kryer disa vrasje si dhe kishte thurur plane për të dëmtuar dy prokuroret Doloreza Musabelliu dhe Merita Selimi, të cilat hetuan shokët e Leart Haxhisë.

Artan Tafani aktualisht mbahet në programin e dëshmitarëve të drejtësisë. Në kapitujt e krimeve që ka rrëfyer Artan apo Marius Tafani përfshin edhe 12 shtetas të tjerë, me role konkrete në 6 vrasje, tentativa krimesh apo shkatërrim prone me lëndë plasëse.

Më i njohuri ndër këta emra është Laert Haxhia, që SPAK e konsideron kreun e një grupi kriminal dhe që prej dy vitesh po gjykohet në të njëjtën Gjykatë të Posaçme për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, dy krime që i kushtuan burgun e përjetshëm edhe dy shokëve të tij Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Krimet e tjera për të cilat po hetohet Haxhia u rrëfyen nga Tafani, zbuluar mbas grabitjes së kryer në kryeqytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA