Në më pak se 24 orë, falë bujarisë së shtetasve anglez, komunitetit shqiptarë në Angli dhe shqiptarëve në të gjithë botën, është mbledhur një shumë rekord, për sjelljen në atdhe të trupit të Leonard Farrukut.
I riu shqiptar, 27 vjeç, i dha fund jetës në anijen hotel në Dorset, më 12 dhjetor.
Në pamundësi financiare për të sjellë trupin në Shqipëri familja hapi një “Gofund” gjashtë ditë më parë.
Një artikull i agjencisë së lajmeve angleze PA, për hapjen e Gofund, u bë viral në mediat angleze, përfshi gjigandin mediat BBC, Sky News, ITV dhe media të tjera.
Apeli familjes për ndihmë u pasqyrua edhe në faqen online të Top Channel dhe në edicionin e qendror të lajmeve në Top Channel të dielën.
Gjatë 24 orëve të fundit janë më shumë 910 persona të cilët kontribuuan përmes Gofund duke mbledhur dyfishin e shumës së kërkuar për sjelljen e trupit të Leonard Farrukut në Shqipëri.
Jola Dushku e motra Leonardit përmes një falenderimi thotë: “Nuk mund t’i falënderoj sa duhet të gjithë njerëzit nga MB, komuniteti shqiptar në MB dhe të gjithë shqiptarët në botë për bujarinë e tyre që na ndihmuan të sigurojmë paratë e nevojshme duke përdorur GofundMe, për të sjellë në shtëpi trupin e vëllait tim Leonard Farruku dhe për funeralin e tij. Mirësia dhe bujaria juaj do të jenë në zemrën time për pjesën tjetër të jetës dhe do t’i sjellin familjes sonë të njëjtin lloj ngushëllimi, tani duke qenë në gjendje të riatdhesojmë trupin e tij. Është një demonstrim i fortë i humanizmit të njerëzve në Britaninë e Madhe në krahasim me Home Office që nuk dëshiron të ndihmojë që trupi i vëllait tim të riatdhesohet në Shqipëri. E gjithë kjo u arrit në një ditë falë të gjithë juve dhe falë agjencisë PA news që mbështeti fushatën tonë, mediave në Mbretërinë e Bashkuar dhe mediave shqiptare, në koordinim me avokatin tonë të familjes z. Mark Scott, dhe ndihmën e organizatës Inquest në Londra. Faleminderit nga zemra. Jola.”
Disa prej donatorëve anglez kanë shprehur revoltën e tyre për mos angazhimin e qeverisë së tyre në sjelljen e trupit të Leonardit, i cili i dha fund jetës në një akomodim si anija hotel ku Home Office e dërgoi.
“Më vjen shumë keq që vëllai yt vdiq në rrethana kaq të tmerrshme dhe shpresoj se kthimi i tij në shtëpi do t’ju sjellë pak paqe.”
Një tjetër i shkroi familjes së Farrukut duke thënë: “Më vjen shumë keq për humbjen tuaj. Shpresoj që donacionet tona t’ju tregojnë se qeveria jonë mund të jetë e pashpirt, por britanikët zakonisht janë mirë.”
Një tjetër postoi: “Kjo është një situatë e trishtuar përtej fjalëve dhe është humanizëm themelor që Mbretëria e Bashkuar të lehtësojë udhëtimin e tij në shtëpi në mënyrë që familja e tij të mund të pikëllohet siç duhet dhe të thotë lamtumirë. RIP.”
Top Channel