Tetë muaj pas vrasjes në Shëngjin të Ardian Nikulajt, me pranga në duar është ekstraduar nga Maroku, drejt Shqipërisë Ruben Ribeiro Saraiva, i dyshuar nga drejtësia shqiptare si ekzekutues i biznesmenit.

Ekstradimi portugezit 28 vjeçar rezident në Londër, nga ku u rekrutua për të kryer vrasjen, u mundësua nga një bashkëpunim intensiv i Interpol Tiranës dhe Drejtorisë së Marrdhënieve me Jashtë në policinë e shtetit me autoritetet marokene.

Paraditja e të dielës 31 dhjetor e gjeti Saraivën në tokën shqiptare për t’u vendosur në dispozicion të drejtësisë shqiptare.

Ekstradimi Ruben Ribeiro Saraiva është komentuar nga Ministri Bredshëm Taulant Balla. Ai thotë  se “realizimi i këtij ekstradimi, edhe pse me Mbretërinë e Marokut nuk e kemi një marrëveshje ekstradimi, na ka krijuar tashmë eksperiencën por edhe besimin të vijojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera”.

Përgëzime Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Interpol Tirana dhe djemve të palodhur të RENEA, thekson ministri Taulant Balla për realizimin e 78 ekstradimeve drejt Shqipërisë gjatë këtij viti që përmbyllim sot”.

Nga provat e mbledhura deri më tani nga prokuroria e Lezhës, rezulton se Ruben Ribeiro Saraiva ishte ekzekutori Ardian Nikulajt.

Pamjet e gjakftohtësisë së ekzekutimit të mirë-organizuar u publikuan edhe në shumë media në botë.

Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.

Për këtë vrasje në Angli janë arrestuar dhe ndodhen në proces ekstradimi edhe pjesa tjetër e grupit, një shqiptarë dhe katër anglez,  që vëzhgonte viktimën dhe ia kalonte informacionet vrasësit Ruben Ribeiro Saraiva.

Gjykata e ekstradimeve në Londër do ta shqyrtojë kërkesën e ekstradimit të tyre nga Shqipëria në muajin Mars.

Top Channel