Nga fenomeni Luiz Ejlli, heroi Afrim Bunjaku te drejtësia e SPAK, personazhet më të spikatur të vitit

31/12/2023 20:44

Prej krijimit të tij e deri më sot, Top Channel ka shpallur personazhin e vitit që kaloi.

Ndër vite të zgjedhurit e Top Channel pas një analize të thellë në bashkëpunim edhe me publikun që ka votuar, ka shpallur si personazh të vitit personalitete publike dhe njerëz të thjeshtë që me veprat e tyre kanë ndikuar pozitivisht në jetën shoqërore në Shqipëri. Një vit më parë shpallëm emigrantët, ata dhjetëra mijëra shqiptarë, shumica të rinj që emigruan në kërkim të një jete më të mirë për ta dhe familjet e tyre të rinjtë në kërkim të një të ardhme më të mirë larg problemeve që ka Shqipëria.

Këtë vit, Top Channel përzgjodhi Kombëtaren Shqiptare Personazhin e Vitit 2023. Skuadra, trajneri Silvinjo dhe tifozët kuqezi u vlerësuan për emocionet e jashtëzakonshme që na kanë dhuruar gjatë këtij viti, teksa Shqipëria përjeton për herë të dytë ëndrrën europiane.

Megjithatë, në listën e më të preferuarve të publikut ishin edhe personazhe të tjerë. Luiz Ejlli, artisti që me pjesëmarrjen në “Big Brother VIP 2” në Top Channel u shndërrua në një fenomen të jashtëzakonshëm.

Emri i tij është ndër më të kërkuarit dhe më të klikuarit gjatë këtij viti që po lemë pas. Edhe pas daljes nga reality show, ku rrëmbeu çmimin e parë, Ejlli vazhdon të jetë i kërkuar nga të gjitha, i kërkuar në koncerte, i ndjekur në rrjete sociale, ndërsa gëzon mbështetjen e mijëra fansave.

Nga ana tjetër, polici Afrim Bunjaku që humbi jetën në krye të detyrës në Kosovë vlerësohet për aktin e tij atdhetar. Në shtator, dhjetëra serbë të armatosur sulmuan fshatin Banjskë të Leposaviqit. Ata hynë në kufi dhe qëlluan drejt patrullës ku ndodhej në shërbim Bunjaku. Kosova ka sot një hero më shumë në betejën e pandalshme për të mbrojtur territorin. Pas ngjarjes së rëndë, Bunjaku u shpall “Hero i Kosovës”.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po ashtu renditet në këtë listë. Me hetimet nga të dyja krahët politike, SPAK po thyen mitin e pandëshkueshmërisë në sferat më të larta të politikës në këto 33 vite demokraci.

Kjo prokurori ka disa vite që po funksionon, pas krijimit të saj nga Reforma në Drejtësi, por në vitin 2023 SPAK ka tronditur nga themelet shtyllat e së keqes në Shqipëri, që është padyshim pandëshkueshmëria. Nga koha kur prokurori Altin Dumani morri drejtimin e SPAK, edhe për shkak të plotësimit me prokurorë dhe agjentë të hetimit në Byronë Kombëtare të Hetimit, nisën të bien një e nga një personazhe dikur të paprekshëm. Për meritën e SPAK politikanë të njohur, të përfolur në afera korruptive kanë humbur imunitetin dhe janë duke paguar faturën e arrogancës dhe abuzimit me fondet publike dhe me detyrën. SPAK ka goditur fort si nga të majtët në pushtet ashtu edhe nga të djathtët në opozitë. Personazhi i fundit që po provon morsën e fortë të SPAK, është ish-kryeministri Sali Berisha, një figurë emblematike e politikës shqiptare prej 33 vitesh nga rrëzimi i komunizmit.

Ministra, ish-ministra, familjarë të politikanëve janë duke dhënë llogari ndërsa ngjarje të rënda të së kaluarës, për të cilat drejtësia është shmangur me procedurë, janë hapur dhe po gjykohen.

SPAK ngjalli shpresën tek shqiptarët se nuk ka më njerëzi imunë ndaj ligjit dhe nuk ka më pandëshkueshmëri. SPAK ka goditur fort edhe krimin e organizuar. Personazhe të paprekshëm të botës së krimit që mbretëronin me arrogancë rrugëve të Shqipërisë po fshihen. Shumë të tjerë janë nën akuzë dhe janë shpallur në kërkim ndërsa janë në arrati jashtë vendi. Rrjete që bëjnë trafik domethënës të lëndëve narkotike janë shkatërruar në bashkëpunim me ndërkombëtarët, sepse SPAK ka krijuar besim tek aleatët duke qenë edhe një institucion nën kujdesin e veçantë të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA