Shpenzimet e fundvitit në Lezhë, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë/ Pak blerës, rritje çmimesh

30/12/2023 18:43

Në të gjithë vendin sot është dita e fundit kur bëhen blerjet e festës.

Blerësit në tregje po zgjedhin produktet që do shtrojnë në tryezën e natës së ndërrimit të viteve ndërsa vëzhgimet e gazetareve të Top Channel në disa qytete vënë re rritje çmimesh.

Lezhë

Qytetarë të shumtë lezhjanë i janë drejtuar tregut industrial për të bërë blerjet e natës së ndërrimit të viteve. Qytetarët në Lezhë shprehen se krahasuar me ditët para festave, ka një ndryshim të çmimeve, sidomos të fruta perimeve

Vlorë

Në një vëzhgim që bëmë në tregjet e qytetit të Vlorës, një ditë para fund vitit çmimet kanë pësuar rritje. Sipas tregtarëve çmimet kanë rritje kryesisht tek frutat që importohen të cilat shkojnë deri në 40-50 lekë për kg më shumë se në ditët normale. Përsa i përket frutave dhe zarzavateve të vendit ka një rritje deri në 20 lekë .

Gjirokastër

Tregu i shitjeve me pakicë ka një rënie të volumit të shitjeve këtë vit në Gjirokastër. Tregtarët e mishit dhe fruta-perimeve flasin për një reduktim të furnizimit të tregut për festat me gati 30% në raport me një vit më parë. Gjithashtu produktet kryesore të tryezës së festave kanë një rritje të çmimit me rreth 20%. Rritjen më të lartë e shënon mishi i të imëtave që shkon nga 1300-1400 lekë për kg. Frutat e stinës kanë një rritje të çmimit me 20%. Ndërsa volumi i blerjeve ka rënë në tregun e pakicës blerjet në supermarkete kanë një rritje të lehtë të volumit me 4-5%. Gjatë ditëve që i paraprijnë festës së ndërrimit të viteve më shumë qytetarë i kanë drejtuar tregut të shitjeve me shumicë për të realizuar blerje me çmim disi më të arsyeshëm. Volumi më i ulët i blerjeve u ndikua jo vetëm nga çmimet por edhe nga numri në rënie i emigrantëve që mbërritën për të festuar me familjet. Gjithashtu shihet edhe një tendencë e largimit nga rajoni për festat.

Korçë

Në markatën e Korçës ka pak blerës. Është kryesisht mosha e tretë që bën pazare, qytetarët reagojnë se nuk mund t’i blenë të gjitha ushqimet që u nevojiten për darkën e ndërrimit të viteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA