Mynyr Hastoci është personazhi i dytë i intervistuar nhga gazetarja Anila Hoxha në podcast-in e qendrës “Fol”, me mbështetjen e ambasadës amerikane që u transmetua në Top Albania Radio.
Ai rrëfeu detaje të tmerrshme nga aksidenti që kalo 7 muaj më parë, ndërsa në makinë ishte me familjen e tij, ndërsa gruaja ishte shtatzënë.
Anila Hoxha: Jemi në studio me një qytetar i cili di ta dallojë shumë mirë dhe e ka kuptuar shumë mirë çfarë do të thotë një minutë gabim, një minutë neglizhencë kur zhvendos vëmëndjen.
Mynyr Hastoci: Në 1 prill bashkë me familjen isha për një pushim në fundjavë në Korçë. Po kthehesha nga Korça, rreth orës 14: 20. Me dy makina. 1 makinë përpara dhe një ishte pas. Unë isha pas vetë në timon, bashkë me familjen, nusen dhe 2 fëmijët dhe kunatën (nusen e vëllait).
Anila Hoxha: Pra, në automjet sa persona gjendeshit?
Mynyr Hastoci: 5 persona. Kisha bashkëshorten në vend të parë, ishte shtatzënë dhe 2 fëmijët dhe kunatën në sediljen mbrapa.
Anila Hoxha: Të gjithë me rripat e sigurisë?
Mynyr Hastoci: Po, të gjithë me rripat e sigurisë. Ishim me një shpejtësi 35-40 km /orë, që duket edhe nga raporti i ekspertizës, që është bërë në terren. Isha në drejtim të Tiranës. Përballë vjen një automjet tjetër, tip fugon, futet në krahun e kundërt timin. Vjen përplaset 50 m përpara dhe vjen skiç, godet.
Anila Hoxha: Ishte me mbishpejtësi apo kreu parakalim?
Mynyr Hastoci: Ai ishte me mbishpejtësi, parakalim të kundërt, spostoi .
Anila Hoxha: Pra përplaseni kokë më kokë?
Mynyr Hastoci: Po, goditja ishte në shpejtësi dhe mjeti ishte me mallra. Goditja ishte deri aty sa në punë sekondash aty u krijua një gjendje e tmerrshme. Goditja ishte shumë e madhe. Drejtëpërdrejtë vjen në spostim, aq e madhe sa mjeti që drejtoja unë u shtyp totalisht para dhe ai mjeti nga përpara vjen e godet edhe nga anësorja.Të gjithë njerëzit ranë gati në disa sekonda pa ndjenja. Kunata që ishte mbrapa doli para xhamit. Unë theva krahun. Nuk dilja dot nga timoni, nuk gjenim dot asnjë telefon. U bllokua rruga.
Anila Hoxha: Po bashkëshortja dhe vajzat?
Mynyr Hastoci: Vajzat ishin poshtë. Kanë ardhur disa banorë, që u bllokua rruga që i nxorrën vajzat dhe pashë dhe bashkëshorten që u përmend pak. Doli edhe kunata që ishte në gjendje të rëndë . Lajmëruan. Erdhi polici , ambulancën. Por mjeti që na goditi ishte në gjendje më të rëndë. Vajtëm në spital të Pogradecit. Gjendja ishte shumë e rëndë, e kunatës e 2 vajzave dhe e nuses, unë krahun e kisha të thyer. Na çoi vëllai në spital. Ndryshon jeta e njeriut komplet.
Anila Hoxha: Ktheve kokën? Pe fëmijët?
Mynyr Hastoci: Pashë fëmijët. Mezi e mbaj mend. Kunata ishte shumë sëmurë. Ishte pa ndjenja. Vajza e madhe ishte më keq. Ishte gjendje lufte. Aksidenti është tamam gjendje lufte. U trajtuam 2-3 orë në spital dhe u nisëm drejt Traumës me ambulanca dhe me mjete tona.
Anila Hoxha: Kërkove hetime për këtë aksident ? Ngrite kallzim penal ndaj palës tjetër?
Mynyr Hastoci: Pala tjetër ka qenë rëndë gjatë gjithë kohës me informacionet që kemi. Ishte një familjar nga zona e Linit, Pogradecit. Nuk kemi pasur kontakt por nëpërmjet prokurorisë ai ndodhet në gjendje të rëndë bashkë me një pasagjer tjetër që ka qenë përpara.
Anila Hoxha: Të dy janë rëndë?
Mynyr Hastoci: Të dy janë rëndë. Por shoferi është më rëndë sipas raportit të prokurorisë. Ka mbetur në karrocë. Ka qenë shumë shpejt sipas raportit, ka qenë i alkoolizuar, i kanë bërë matjet nëpërmjet gjakut, sepse ishte në gjendje të rëndë ai. Prokuroria ka shpallur fajtorin. Në momentin që ai do të bëhet mirë është me arrest. Se aty ishte vizë e pandërprerë. Parakalimi ishte komplet i gabuar në krah të kundërt.
Anila Hoxha: Mynyr, ne jemi të gjithë përdorues rruge, herë si kalimtar, herë si drejtues automjeti. Çfarë mësove nga ky aksident automobistik?
Mynur Hastoci: Momentin që hipën në timon duhet të jesh shumë i përgjegjshëm njeriu. Se është një mjet sikur të marrësh një armë dhe të qëllosh dikë, kaq e rëndë është. Në rastin tonë ishte 5 veta që pothuajse kemi ngelur. Një pjesë e kemi kaluar por një pjesë janë akoma me trauma.
Anila Hoxha: Vajzat e vogla?
Mynyr Hastoci: Vajzat, janë bërë gati 7 muaj dhe akoma vazhdojnë edhe kur marr vajzat në makinë rrinë dhe thonë “kujdes kujdes “. Mbetet ajo tërë kohës se pavarësisht ka kaluar.
Anila Hoxha: Kunata, u bë më mirë ?
Mynyr Hastoci: Më mirë është .Vazhdon terapitë që kontrollohet, se kështu e kanë një herë në gjashtë muaj. Se ka patur goditje në kokë shumë. Në atë zonë është zonë malore pak janë edhe rrugët shumë të ngushta, të them të drejtën. Pavarësisht se shpejtësia aty ishte e lejuar deri në 40 km në orë, ai mund të ketë qenë 80-90 km në orë me një mjet të pasigurt .
Anila Hoxha: Çfarë ju shpëtoi ju?
Mynyr Hastoci: Në aksident përveç pjesës “Zotit“ që i thonë , makina ishte e sigurtë, ishte një makinë e madhe dhe rripat e sigurimit. Ishte shumë e sigurtë. Unë pothuajse e ndalova makinën, që kur e pashë nga larg . Ka qenë pothuajse i ndaluar kur ka ardhur dhe ka bërë goditjen.
Anila Hoxha: Drejtëpërdrejtë?
Mynyr Hastoci: Drejtëpërdrejtë. Ballë për ballë ka ardhur i spostuar. Ishte nje fugon mallrash me ngarkesë dhe bëri goditjen.
Anila Hoxha: Faleminderit për mesazhin shumë domethënës për këdo që është përdorues rruge, qoftë ai kalimtar, drejtues automjeti apo edhe pasagjer. Pse them pasagjer?! Sepse rripi i sigurimit , mos harroni duhet vendosur jo për shkak të gjobës , jo nga frika e policisë , jo nga frika e kontrolleve , të postblloqeve të policisë rrugore. Vendose rripin e sigurimit për jetën tënde. Mos harro kur drejton automjetin, një moment ki parasysh në rast se je i dehur apo e ke tepruar apo je nën efektin e alkoolit “mos e harro këtë histori”.
Top Channel