“Eksportet bujqësore kanë vazhduar të rriten”, kryeministri: Vlera e arritur është 64.4 milionë euro

30/12/2023 13:36

Kryeministri Edi Rama mbajti konferencën tradicionale të fundvitit, në të cilën tregoi se eksportet bujqësore ne vendin tonë kanë vazhduar të rriten.

Sipas tij për më shumë se 11 muajve është 64.4 milionë euro, ndërkohë shtoi se janë përmirësuar kushtet e fermerëve.

“Këtë vit kemi pasur një rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë me rreth 30% krahasuar me 1 vit më parë.  Janë mbështetur 2000 familje me instalimin e paneleve fotovoltaike me një  program që do të vazhdojë më tutje e do të rritet me mbështetje financiare për familjet që do të instalojnë panelet fotovoltaike. 2000 familje kanë qenë pjesë e hapit të parë të këtij programi. Aeroporti i Tiranës është ngjitur tanimë në krye, krah për krah me aeroportin e Beogradit si aeroporti me numrin më të madh të pasagjerëve në rajon, diçka që ishte e paimagjinueshme disa vite më parë e ndërkohë është aeroporti me rritjen më të lartë të pasagjerëve në të gjithë klasifikimin e bërë nga Agjencia Europiane e Aviacionit Civil për të gjithë Evropën.

Mbi gjysmë milion udhëtarë kanë zbritur në portin e Sarandës. E nxora veç këtë shifër sepse më duket shumë domethënëse për jo vetëm çfarë ka ndodhur këtë vit por dhe për potencialin e jashtëzakonshëm që ka dhe për këtë arsye ne e kemi hapur rrugën për një investim të rëndësishëm në Sarandës për portin e ri turistik dhe njëkohësisht jemi në procesin e vlerësimit të një transformimi dhe të portit ekzistues të Sarandës. Janë mbyllur këtë vit 37 projekte për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm në 29 bashki dhe numrit të banorëve të furnizuar 24 orë me ujë i janë shtuar 223 mijë banorë të tjerë. Nuk dua t’ju marr shumë kohë dhe t’ju lodh me shifra, por besoj që në një konferencë si kjo është e pamundur që të shmangen të paktën një sërë shifrash që janë domethënëse dhe që nuk është rasti gjatë vitit që të thuhen e të ri thuhen.

Eksportet bujqësore kanë vazhduar të rriten. Vlera e 11 mujorit plus është 64.4 milionë euro. Ndërkohë kanë vazhduar investimet në infrastrukturën e ujitjes e të kullimit  dhe janë afro 20 mijë hektarë të tjera që kanë tanimë një infrastrukturë tërësisht të ripërtërirë të ujitjes e të kullimit, që i shtohen qindra e mijëra hektarëve të siguruara me ujitje dhe me kullim deri në vitin e shkuar. Ka vazhduar rehabilitimi i argjinaturave e janë pastruar përsëri qindra kilometra kanale kryesore kullues.

Më tej besoj është e rëndësishme që të vlerësohet me këtë rast puna realisht e lavdërueshme e bashkive të Përrenjasit, Roskovecit, Belshit, Skraparit dhe të Cërrikut. Cërriku i pari si pionier i një ndryshimi të ri të cilin ne kemi bërë përpjekje ta motivojmë këtë vit e do vazhdojmë shumë më fort vitin e ardhshëm në vazhdim, për qendrat e kompostimit të mbetjeve bujqësore, të cilat i rikthehen fermerëve duke rritur cilësinë e prodhimit, por njëkohësisht dhe duke garantuar një cikël të plotë të përpunimit të tyre dhe jo vetëm duke garantuar pastërti në të gjitha këto territore por edhe duke kthyer mbrapsht në formën e imputit të drejtpërdrejtë bujqësore, mbetjet e kompostuara e të ripërpunuara”, u shpreh Rama.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA