Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka reaguar pas vendimin e sotëm të GJKKO-së për masën arrest shtëpie ndaj Sali Berishës.
Topalli e quan ‘ekzekutim brutal të opozitës’ vendimin e sotëm të GJKKO-së dhe shprehet se Berisha u arrestua për shkak të frikës së denoncimit të aferave korruptive.
Reagimi i Jozefina Topallit:
Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë! Vendimi i sotëm për arrestimin e kryetarit te opozitës (sepse ky i fundit ka zbatuar programin e tij elektoral) është ekzekutimi më brutal i opozitës (që sjell në memorie ekzekutimin e grupit të deputeteve nga Enver Hoxha ne ‘46).
Vendimi i sotëm lartëson edhe më shumë kryetarin e opozitës z. Sali Berisha, i cili si askush tjetër ka mbrojtur pluralizmin e Kushtetutën siç i takon liderit që themeloi bashkë me bashkëpunëtorët e tij të kohës, partinë e parë opozitare kundër një prej diktaturave më brutale që ka njohur historia jonë.
Sali Berisha është politikani më i votuar në 3 dekada! Vendimi i sotëm politik për arrestimin e ish-Presidentit, ish-Kryeministrit, kryetarit të opozitës vetëm ka ngjitur në piedestal Sali Berishën duke e kthyer në një titan; por na zvogëlon të gjithë ne të tjerëve, na zvogëlon e na turpëron si shoqëri.
Inkuizicioni kundër tij është i pabesueshëm. Me vendim gjykate nuk e njohën si kryetar i Partisë Demokratike edhe pse ishte votuar nga një stërmaxhorancë e demokratëve. Kjo nuk ndodh as në regjimet autoritare. Me vendim të turpshëm e politik të gjykatës i vodhën emrin e vulën e Partisë Demokratike. Me vendim politik i hoqën emrin nga fleta e votimit, i hoqën të drejtën e përfaqësuesve të tij në komisione, i hoqën të drejtën e financimit të partisë, i hoqën emrin si drejtues i koalicionit. Me vendim politik i futen në burg familjarët e tij. Ndërkohë që çdo dite lexojmë për korrupsion të pabesueshëm të ministrave dhe ish-ministrave te rilindjes … e megjithatë ata janë të lirë.
E pastaj kur mendon që ky korrupsioni i pandalshëm i Beqajt psh, është shumë pak në krahasim me skemën e vjedhjes së shekullit të inceneratorëve… nuk të mbetet tjetër veç të mendosh edhe një herë se ky vend do vazhdojë të braktiset nga njerëzit, që vazhdojnë të ikin nëpër bote nga padrejtësia që përjetojnë.
Por, vendimi i sotëm për arrestimin e kryetarit të opozitës, shoqëruar me detyrimin për të mos komunikuar me askënd, është surreal. Ky vendim ia kalon edhe vendeve si Mianmari (në Azine e largët), ku kane arrestuar kryetaren e opozitës, por nuk kanë shkuar deri aty sa t’i ndalonin komunikimin. Kjo është shprehja më elokuente e faktit se vendimi i sotëm i gjykatëses është jo vetëm politik dhe i urdhëruar, por që demonstron urrejtjen dhe frikën që kane nga kryetari i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha.
Frikë nga të vërtetat që thotë; frikë nga denoncimi i aferave e skandaleve qeveritare; frikë nga nominimi i kriminëleve që bashkëpunojne me pushtetin; frikë nga fakti se i vetëm ka mbledhur mbi gjysmë milion vota pa emrin e tij në fletë votimi, pa emrin e partisë përballë gjithë makinerisë së parave e bandave kriminale.
Sot Shqipëria është më e vogël. Urdhëruesit dhe zbatuesit nuk arritën as të fshehin urrejtjen e hakmarrjen e tyre, aq sa vendimin e tyre e dhanë në prag të vitit të ri, ashtu siç firmosën shkresën e parë kundër z.Sali Berisha në ditën e datëlindjes së tij. Edhe në kohë luftërash, në prag festash ka armëpushim. Në këto kushte, vetëm reagimi i qytetarëve është rrugëdalja.
Top Channel