Igli Hasani, Ministër i Punëve të Jashtme e vlerësoi diplomacinë shqiptare gjatë vitit që po lëmë pas si “një periudhë e pa-precedëntë arritjes e suksesesh”, kjo falë angazhimit të vendit të vendit tonë tre vitet e fundit në prodhimin e diplomacisë së dorës së parë në forumet e larta ndërkombëtare, siç ishte Këshilli Sigurimit.
Ministri Hasani shpalosi ambiciet e diplomacisë shqiptare dhe fokusin gjatë 2024.
“Shërbimi i Jashtëm do të punojë për të tërhequr sa më shumë projekte e investime. Do punojmë për të promovuar sa më mirë mundësitë që ofron Shqipëria. Po punojmë për projektimin e rrjetit të atasheve tregtarë dhe themelimin e Këshillit të Eksporteve. Ristrukturimi i Shërbimit të Jashtëm, po ashtu një nga prioritetet tona për 2024.”
Shefi diplomacisë shqiptare tha se një tjetër prioritet kyç do të jetë bashkëpunimi me faktorin shqiptar përfshi konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me diasporën. Hasani tha se priten lajme të mira në fillim të vitit 2024, sa i takon negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Ju falenderoj që jeni sot këtu me ne në këtë bashkëbisedim mbi punën e diplomacisë shqiptare. Ky është së pari një rast për të bërë bilancin e vitit që po mbyllet, por edhe një moment i mirë për të ndarë me ju e me qytetarët ato që do të jenë prioritetet e punës sonë për vitin që po vjen. Për diplomacinë shqiptare, fundi i vitit 2023, shënoi mbylljen e një periudhe të paprecedentë arritjesh dhe suksesesh. Një periudhë që u cel me marrjen e mandatit për kryesimin e OSBE-së në 2020 dhe mbyllet pas 3 ditësh me përfundimin e mandatit dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si kurrë më parë në historinë e saj, gjatë këtyre pak viteve, Shqipëria pati mundësinë të luajë një rol të dorës së parë në forumet më të larta të politikës ndërkombëtare. Na u dha kjo mundësi në kohëra jo të lehta. Në një kohë kur funksionimi i këtyre organizmave të mëdha ndërkombëtare ishte gjithçka përveç rutinë. Por ne ia dolëm të kemi një performancë dinjitoze e të respektuar, duke kontribuuar me ide dhe zgjidhje në diskutimet globale mbi çështjet më të mprehta që sfidojnë sot botën, duke filluar nga lufta në Ukrainë e situata e sigurisë në Europë, kriza e sigurisë ushqimore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, agjenda e të drejtave të grave dhe mbrojtja e mjedisit. Dhe së fundmi gjatë këtyre tre muajve jemi angazhuar fort me ide dhe propozime në Këshillin e Sigurimit me partneret tanë për të adresuar situatën që prodhoi në Lindjen e mesme sulmi terrorist i 7 tetorit nga Hamasi dhe lufta në Gaza, që për fat të keq ende vazhdon. Por ne arritëm të evakuonim qytetarët shqiptare nga Izraeli dhe Gaza, dhe për këtë një falënderim i veçantë shkon për diplomatët shqiptarë në ambasadat tona në Izrael dhe Egjipt, por dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë që u angazhuan. Kjo performancë provoi që dhe vendet e vogla si Shqipëria që janë të destinuara të bëjnë spektatorin në debatet e mëdha të politikës ndërkombëtare, kanë shumë për të kontribuar me ide dhe zgjidhje. Diplomacia jonë ka ditur ta bëjë këtë më së miri, me shumë maturi e guxim, me shumë zgjuarsi e duke i qëndruar besnike vlerave e parimeve. Falë kësaj performance si kurrë më parë, ne gëzojmë sot besimin, respektin dhe admirimin e miqve dhe partnerëve dhe aleatëve tanë. Një respekt e admirim i cili ka dhënë tashmë rezultate konkrete pasi kandidaturat e vendit tonë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe në Bordin Ekzekutiv të UNESCO u mbështetën në mënyrë masive me votë, në një garë ku rival të drejtpërdrejtë kishim Federatën Ruse. Dua të falënderoj Ministrat Xhaçka e Cakaj për menaxhimin e punës gjatë këtyre viteve të fundit, Misionin në Nju Jork, më ambasador Ferit Hoxha, Misionin në Gjenevë dhe Paris për angazhimin maksimal. Viti 2023 ishte po ashtu viti i një progresi të ndjeshëm në procesin e integrimit europian. Puna e Shqipërisë për të thelluar reformat europianizuese e modernizuese, linjëzimi i plotë me politikat e sigurisë dhe politikën e jashtme të BE-së, dhe roli veçanërisht konstruktiv në rajon, janë vlerësuar si një model suksesi për të gjithë BP. Më konkretisht, gjatë këtij viti u mbyll me sukses procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit shqiptar për të vlerësuar përputhshmërinë me acqui, i ashtuquajturi proces i screening. Dhe përfitoj nga rasti në këtë pikë për t’i bërë një përgëzim e një falenderim të gjithë ekipit prej rreth 1000 ekspertësh të kryesuar nga Kryenegociatorja Dhuka, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë. Shqipëria është sot gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare sipas vlerësimeve të Komisionit Europian, sipas vlerësimeve të vendeve anëtarë por edhe sipas konkluzioneve të Këshillit të datës 12 dhjetor. Ne presim që në fillim të vitit 2024 të kemi lajme të mira për avancimin e mëtejshëm të procesit.
Më lejoni po ashtu t’ju kujtoj se në muajin tetor në Tiranë u mbajtën Ministeriali i Punëve të Jashtme dhe Samiti i Procesit të Berlinit, gjatë të cilave u rikonfirmua fuqishëm perspektiva evropiane e rajonit por edhe u morën vendime konkrete për të avancuar bashkëpunimin rajonal dhe për të na mbështetur në rrugëtimin tonë integrues. Një tjetër drejtim për të cilin është punuar shumë dhe ka pasur arritje konkrete gjatë 2023 ishte bashkëpunimi konstant me faktorin shqiptar në rajon, me vëllezërit tanë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e Preshevë, por edhe me diasporën shqiptare nëpër botë. Vetëm pak javë më parë në Tiranë u organizua Dita e Arbëreshëve dhe Samiti i Diasporës, në të cilat u artikuluan ide e nisma konkrete që do të ndiqen me shumë përkushtim në të ardhmen për të forcuar më tej bashkëpunimin mes nesh. Më vjen mirë që Samiti i Diasporës e mirëpriti propozimin tonë për ta shpallur 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit, si festë kombëtare. Në vitin që vjen ne do të punojmë për të vijuar me këtë performancë të mirë e për të çuar përpara interesat e vendit në të gjithë këto drejtime. Konsolidimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me diasporën dhe faktorin shqiptar, koordinimi i aktivitetit diplomatik dhe krijimi i sinergjive të reja mes nesh, do të jenë prioriteti ynë kryesor për 2024. Unë jam i bindur që ky bashkëpunim ka një potencial të jashtëzakonshëm që ne ende veç sa e kemi prekur dhe duke punuar së bashku, do të dimë të çlirojmë energji të mëdha në fushën e ekonomisë, shkencës, arsimit e diplomacisë. Por, do të dimë po ashtu edhe të konsolidojmë më tej rolin strategjik të shqiptarëve si një faktor stabiliteti dhe garantë të orientimit Euro-Atlantik të rajonit. Do të vazhdojmë koordinimin maksimal me aleatët tanë strategjikë, SHBA, si anëtarë të denjë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Natyrisht, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se e ardhmja jonë më e mirë bazohet jo vetëm në bashkëpunimin mes shqiptarëve, por edhe në lidhjet që ushqejmë me fqinjët tanë. Shqipëria krenohet me rritjen e kontributit të saj në proceset rajonale dhe në këtë aspekt, presidencat e disa nismave rajonale, si: Karta e Adriatikut, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore apo nisma e Evropës Qendrore, që marrim në vitin 2024 do të shërbejnë për të thelluar më tej bashkëpunimin e integrimin rajonal. Një tjetër drejtim për të cilin do të punojmë më shumë sesa në të kaluarën dhe me një vizion shumë më ambicioz është diplomacia ekonomike. Sot Shqipëria është një histori suksesi përsa i përket thithjes së investimeve të huaja dhe zbatimit të projekteve të mëdha në turizëm, energji, infrastrukturë e bujqësi. Me 10 milionë turistë gjatë vitit 2023, kemi projeksione për numra edhe më të mëdhenj gjatë vitit 2024. Shqipëria sot është një destinacion i konfirmuar turistik që padyshim përkthehet në më shumë interes për investime dhe projekte. Nga ana tjetër, sot Shqipëria është një vend që gëzon një profil shumë më të lartë e të vlerësuar në arenën ndërkombëtare sesa pak vite më parë. Sot, falë kësaj pune ne kemi zgjeruar e konsoliduar më tej bashkëpunimin me një sërë vendesh, sigurisht me BE, por edhe nga pellgu i Mesdheut Lindja e Mesme e Azia Qendrore, për të çuar përpara bashkëpunimin ekonomik. Shërbimi i Jashtëm do të punojë në mënyrë proaktive për t’i avancuar akoma më tej këto partneritete, për të tërhequr sa më shumë projekte e investime dhe për të promovuar sa më mirë e sa më shumë mundësitë që ofron Shqipëria.
Në vitin 2024 do të hapim përfaqësi diplomatike në Azerbajxhan, Bosnje-Hercegovinë dhe Ukrainë dhe do të vazhdohet puna për të shtuar përfaqësimin diplomatik nëpër botë. Ne jemi duke punuar gjithashtu për ta shfrytëzuar reputacionin pozitiv të Shqipërisë për të siguruar përfitime të drejtpërdrejta për shtetasit shqiptarë, për të gjithë ne. Një nga prioritet kryesore është edhe lehtësimi i mëtejshëm i lëvizjes së qytetarëve tanë, duke zgjeruar hartën e vendeve ku mund të lëvizim pa viza, apo me procedura të lehtësuara për marrjen e vizave. Natyrisht zbatimi i këtyre prioriteteve do të kërkojë edhe një reformimm e ristrukturim të Shërbimit të Jashtëm, për ta bërë atë akoma më profesionist, më të zhdërvjellët e më efikas. Ky ristrukturim do të jetë po ashtu një nga prioritetet tona për 2024. Unë jam besimplotë, që me punën e tyre diplomatët e Shërbimit të Jashtëm Shqiptar do të dinë të ndërtojnë mbi arritjet e vitit që lamë pas dhe një vit nga sot, do të vazhdojmë jo vetëm të takohemi edhe të flasim për suksese por edhe të diskutojmë për realizime bazuar në punën tonë, ku do të thellojmë kontributin dhe avancimin më të madh të interesave të Shqipërisë dhe vetë shqiptarëve. Unë ju uroj një 2024 të mirë, të bukur dhe me sa më shumë lajme pozitive.“
Top Channel