Qeveria aktuale në Berlin planifikoi të reduktojë eksportet gjermane të armëve. Por po ndodh e kundërta. Eksporti është shtuar me shifra rekorde.

Qeveria gjermane miratoi eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në vlerë prej të paktën 11 miliardë e 710 milionë euro deri në mes të dhjetorit 2023. Ky është një bilanc prej rreth 25% më i lartë se në vitin rekord 2021, kur eksportet arritën në 9.35 miliardë euro, e madje 40 për qind më shumë se vitin e kaluar dhe vitin e parë të koalicionit aktual qeverisës të Socialdemokratëve (SPD), të Gjelbërve dhe Liberalëve (FDP).

Vetëm pak më shumë se një e treta e këtyre pajisjeve shkuan në Ukrainë – ku kanë shkuar armë dhe pajisje në vlerë prej rreth 4.15 miliardë euro. Në të njëjtën kohë, ishin të Gjelbrit, asokohe në opozitë në kohën e qeverisë së Angela Merkelit, ata që shtronin shpesh pyetjen se sa armë eksportoheshin dhe kujt. Tani ata janë në qeveri të Scholzit dhe duhet t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve për këto çështje.

Deri më 12 dhjetor 2023, qeveria miratoi eksportin e armëve me vlerë 6,15 miliardë euro dhe pajisjeve të tjera ushtarake me vlerë 5,57 miliardë euro. Çështja e armëve gjermane që përfundojnë në disa konflikte të armatosura me qëllime të dyshimta ngrihet vazhdimisht. Fakt është që pothuajse 90 për qind e këtyre eksporteve, me përjashtim të Ukrainës, shkuan në NATO, BE dhe vendet aleate me status të ngjashëm, si Japonia, Australia apo Koreja e Jugut. Armë janë eksportuar edhe në Turqi, e cila po ashtu është anëtare e NATO-s, por është e përfshirë në fushata ushtarake kundër kurdëve në Sirinë fqinje është nën kritika të ashpra në Gjermani.

Ukraina, Norvegjia, Hungaria…

Pas Ukrainës, Norvegjia renditet e dyta në listën e eksporteve të armëve dhe pajisjeve gjermane (me 1.2 miliardë euro). Pasojnë Hungaria (1.03 miliardë), Britania e Madhe (654.9 milionë), SHBA (545.4 milionë) dhe Polonia (327.9 milionë). Vetëm në vendin e shtatë është një vend që nuk është anëtar i NATO-s – Izraeli. Megjithatë, duhet thënë se bëhet fjalë për 323.2 milionë euro, një shifër dhjetë herë më e lartë se në vitin 2022. Pjesa më e madhe e eksporteve është miratuar pas sulmit terrorist të Hamasit në Izrael dhe pjesa më e madhe prej rreth dyqind artikujve individualë i referohet komponentëve të mbrojtjes ajrore dhe pajisjeve të komunikimit.

Tanku gjerman Leopard 2
Leopard 2Fotografi: Peter Schneider/KEYSTONE/picture alliance

Izraeli ndiqet nga Koreja e Jugut (256.4 milionë), ndërsa më pas vijnë edhe vendet e diskutueshme për të drejtave të njeriut, si Emiratet e Bashkuara Arabe (78.2 milionë euro deri në fund të nëntorit të këtij viti), Egjipti (40 , 3 milionë), Katari (15.1 milionë) dhe Arabia Saudite (13.3 milionë).

As politikanët e koalicionit qeverisës nuk janë të kënaqur për këtë eksport rekord të armëve gjermane: politikani i SPD Ralf Stegner vlerësoi se ky ishte “lajm i keq”, sepse ishte ky koalicion dhe kancelari Olaf Scholz që donte të vendoste rregulla edhe më të rrepta dhe të ndalonte të gjitha eksportet në një vend të përfshirë në konflikt të armatosur.

As qeveria nuk është e kënaqur

Armët që dërgohen në Ukrainë
Armët që dërgohen në UkrainëFotografi: Polish Chancellery of Prime Ministry/Krystian Maj/AApicture alliance

Megjithatë, realiteti i botës së sotme është ndryshe – veçanërisht kur bëhet fjalë për ndihmën ndaj Ukrainës. Aq sa Berlini ishte i përmbajtur në dhënien e lejeve për eksportin e armëve moderne, dhe veçanërisht në dërgimin e tankeve gjermane të tipit Leopard 2, eksprti megjithatë është lejuar pas presioneve nga Kievi dhe vendet e tjera. Janë dërguar tanke dhe artileri e rëndë, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Me këtë, ky koalicion qeverisës tejkaloi të gjitha rekordet e qeverisë së Angela Merkelit. Në 16 vjetët e qeverisjes së saj, shuma prej shtatë miliardë euro e eksporteve të armëve dhe pajisjeve ushtarake ishte tejkaluar vetëm tre herë.

Kreu i ekologjistëve, Omid Nouripur, thotë se duhet të miratohet sa më shpejt një ligji edhe më i rreptë për eksportin e armëve. Kristiandemokratët e opozitës (CDU/CSU), nga ana tjetër, nuk shohin asnjë problem në këto rezultate. Për më tepër, politikani i CDU-së, Roderich Kiesewetter, i kërkon kësaj qeverie që më në fund të lejojë eksportin e avionëve luftarakë Eurofighter në Arabinë Saudite. Ai thotë se mungesa e eksportit gjerman në këtë fushë mund të çojë vetëm në largimin e Arabisë Saudite nga Perëndimi dhe blerjen e armëve diku tjetër – në Kinë për shembull, e cila mezi pret të futet në këtë treg./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA