At Anton Harapi do shpallet martir! Njeriu i fesë dhe letrave u pushkatua nga komunistët në vitin 1946

28/12/2023 15:33

At Anton Harapi, një nga figurat me të rëndësishme të Kishes Katolike Shqiptare, së shpejti mund t’i shtohet listës së 38 martireve të kishës, të cilët dhanë jetën për fe dhe për atdhe.

Me dekretin e publikuar ditën e sotme, zyrtarisht Kisha Katolike ka nisur punën për përgatitjen e dosjes për martirizimin e tij.

“Me këtë dekret, Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare, vendos në emër të të gjithë Ipeshkvinjve që të nis mbledhja e dokumenteve dhe dëshmive të shkruara në lidhje me jetën, ngjarjen historike dhe vdekjen e At Anton Harapit. Pas disa vitesh kërkimesh, dhe studimesh, kemi dokumentacionin e nevojshëm që na lejon të fillojmë punën për hapjen e kauzës së lumnimit”, tha Mark Pashkja, zëdhënes i Konferencës Ipeshkvnore shqiptare.

“Për në katolikët, që kemi vuajtur nga otomanet dhe nga sistemi komunist, ju e dini shumë mirë që meshtarët katolikë janë angazhuar shumë për fenë dhe për atdheun tonë. Është ky binom që për ne është shumë i rëndësishëm por për europianët është shumë i vështirë për t’u kuptuar”, tha Imzot Angelo Massafra, president i Konferencës Ipeshkvnore shqiptare.

Jozef Shiroka, nipi i At Anton Harapit, thotë se ka shume materiale që mund të përdoren për dosjen e martirizimit.

“Ne sigurisht disponojmë shumë dokumente, të cilat do t’i vendosen në dispozicion të gjithë Arqipeshkvisë dhe të gjithë atyre që po merren me këtë punë. Unë jam i lumtur që ka nisur ky proces dhe jam i bindur se do të mblidhen shume dokumente dhe informacione të duhura për të”, tha Shiroka.

At Anton Harapi, lindi në Shirokë në Shkodër dhe u formula në Austri dhe Itali, ku pasi kreu studimet universitare u rikthye në Shqipëri. Ai ishte frat, mësues, shkrimtar dhe politikan. Ai u vra nga regjimi komunist dhe ende nuk dihet varri i tij.

Top Channel