Mediat izraelite shkruajnë sërish për Shqipërinë që vazhdon të jetë në shenjestër të sulmeve kibernetike, të sponsorizuara nga Irani.
Parlamenti i Shqipërisë u sulmua të hënën nga një grup që besohet të jetë i lidhur me Iranin, shkruan “Jerusalem Post”, duke iu referuar grupit të hakerave “Homeland Justice”.
Parlamenti, në një reagim, tha se nuk ka humbje të të dhënave dhe se ekspertët po punojnë për të rregulluar vendin.
“Homeland Justice”, shkruan më tej media izraelite, ka marrë përsipër sulmin edhe ndaj disa kompanive telefonike në vend, teksa pretendon se ka arritur të ketë akses te të dhënat e këtyre faqeve.
Hakerat kanë përdorur hashtagun #DestroyDurresMilitaryCamp, referuar kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.
Faqe të tjera vazhdojnë të jenë nën shenjestër. Edhe sot, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit tha ka rënë pre e sulmeve kibernetike.
AKSHI njofton se situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. Sipas AKSHI-t, sulmet nuk kanë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.
Top Channel