Një zjarr dhe stuhi të forta kërcënojnë Kaliforninë, 1400 të evakuar
Banorë të Gazës zhvendosur prej bombardimeve në zonën jugore të Rafah përfitonin sot nga moti me diell për të tharë veshjet e tyre në tela të ngritur në rrugë, përgjatë tendave të tyre.
Më shumë se 1 milionë banorë të Gazës janë detyruar të zhvendosen drejt jugut nga Izraeli, që jetojnë tashmë në tenda të improvizuara në të ftohtin e dimrit, shkruan rrjeti AFP.
Neveen Abd El Jawad Matar, e zhvendosur nga kampi i refugjatëve Al-Shati në Gaza thotë se kërkon ndihmë për fëmijët e saj.
“Kam gjashtë fëmijë, katër vajza e dy djem, po laj këtu me dorë, iu luta njerëve për ujë sepse vetë nuk kam asgjë. Edhe batanijet m’i kanë dhënë të tjerët. Në tendë nuk kam asgjë”.
Khulud Jarboueh dhe fëmijët e saj gjithashtu u larguan nga shtëpia në veri të Gazës prej bombardimeve izraelite në fillim të tetorit. Ajo thotë se në tetor ishte ende ngrohtësia e verës ndërsa tani duhet të gërmojë mes rrobave për të gjetur pak ngrohtësi e për t’u mbrojtur nga shiu.
“U larguan nga Gaza me 20 familjarë më shumë se dy muaj më parë,” thotë 29-vjeçarja për rrjetin AFP pranë një stende me rroba të përdorura në Rafah.
Tani Jarboueh dhe familja e saj flenë në dyshemenë e një shkolle në një shkollë të misionit të OKB.
Por edhe para luftës së fundit jeta në Rripin e Gazës ishte e vështirë teksa Izraeli mbante të bllokuar territorin që prej vitit 2007.
Fermeri Walid Sbeh thotë se është zhvendosur me forcë nga toka e tij dhe se nuk ka më asnjë para. Ai me gruan dhe 13 femijët gjithashtu janë vendosur në shkollën në Rafah.
“Fëmijët e mi janë të uritur dhe ende me rrobat e verës, nuk mund t’i blej asgjë. Ata na dëbuan nga shtëpitë dhe na vrasin me gjakftohtësi, nëse nuk vdesim nga bombat, vdesim nga uria, etja, i ftohti”, tha burri për AFP.
Top Channel