Pas miratimit të ligjit të ri të Tatimit mbi të ardhurat në parlament, qeveria ka nxjerrë dhe aktet e nevojshme nënligjore për zbatimin e tij.

Udhëzimet e fundit bëjnë disa ndryshime edhe në lidhje me më mënyrën si do zbatohet tatim-fitimi i shit-blerjes së pronave ku përfshihen kategoritë e pronarëve të truallit ku ndërtohet, sipërmarrësve në fushën e ndërtimit apo ata që shërbejnë si investitorë në një projekt ndërtimi.

Kështu në VKM bëhet me dije se nëse pronari i truallit e shkëmben tokën me një sipërfaqe ndërtimit, ai nuk do të tatohet. Por, nëse më pas e shet këtë sipërfaqe ndërtimi më shumë seç e ka blerë, atëherë lind “fitimi kapital” që do tatohet me normën 15%.  Vlera në blerje do konsiderohet ajo e regjistruar për herë të fundit në Kadastër për truallin, ndërsa kur kjo nuk ekziston do të merren çmimet nga harta e vlerave të tokës. Vlera në shitje do të jetë ajo e kontratës mes palëve, por nëse kjo është më e ulët se vlera e çmimeve të referencës, atëherë shteti do të njohë këtë fundit.

Ligji rregullon dhe tatimin e sipërmarrjeve që operojnë në fushën e ndërtimit apo shitjes. Për kontraktorët, nënkontraktorit, supervizorët apo mbikëqyrësit, të ardhura do konsiderohen ato që janë marrë sipas situacioneve të punimeve apo paradhëniet nga porositësit e punimeve. Në bazë të këtyre do t’i njihen dhe shpenzimet, për të përcaktuar dhe vlerën e fitimit që do të tatohen.

Ndërkohë nëse biznesi operon si ndërtues dhe është pronar plotësisht apo pjesërisht i objektit, do t’i njihen të ardhurat nga shitja apo dhënia me qera e pjesës që i takon. Shpenzimet do t’i njihen ato në fazën e ndërtimit, fazën e shitjes apo të mirëmbajtjes për pjesën e objekteve që jepen me qira. Nëse shoqëria e ndërtimit ka në zotërim për nevoja të veprimtarisë së tij zyra, magazina, bare apo restorante, ato nuk do t’i njihen si shpenzim i zbritshëm.

Ndërkohë ata që veprojnë si investitorë/financues në një projekt dhe më pas shitës në ndërtim, të ardhura do t’i njihen ato që vijnë nga shitja apo nga qiraja e objekteve në zotërim. Si shpenzime do tu njihen ato të faturuara nga sipërmarrësit e punimeve apo shpenzimet e tjera të nevojshme të përcaktuara në ligj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA