Pesë orë luftë me flakët! Përfundon operacioni i shpëtimit në qendrën tregtare të Lushnjës! 39 qytetarë dhe 3 zjarrfikës në spital

25/12/2023 19:24

Operacioni për evakuimin dhe shpëtimin e qytetarëve të bllokuar në qendrën tregtare në Lushnjë ka përfunduar pas pesë orësh luftë me flakët.

Janë evakuuar dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore rreth 39 qytetarë dhe tre punonjës të zjarrfikëses, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj tha për mediat se asnjë pacient nuk rrezikon jetën nga zjarri, ndërsa nuk ka asnjë rast të rëndë në spital apo raste djegiesh, por vetëm intoksikim për shkak të ekspozimit nga tymi që përfshiu godinën.

Në operacion morën pjesë Forcat Renea, Forcat e Sigurisë Kombëtare, Njësitë Shqiponja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe zjarrfikësit.

Dhjetëra qytetarë përjetuan momente tmerri kur një zjarr i rënë në katin e tretë të një qendre tregtare në Lushnjë u përhap me shpejtësi në apartamentet sipër tij rreth orës 14: 40.

Zjarrfikës, forcat RENEA dhe ato policore u angazhuan për disa orë me qëllim shuarjen e flakëve në pallatin 12 katësh dhe kërkimin për qytetarë të bllokuar në banesa.

Dyshimet e para për shkakun e zjarrit janë mbingarkesa e kondicionerëve, pasi qendra tregtare ishte e mbipopulluar nga dyndja për festën e Krishtlindjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA