Numri i qytetarëve që kanë marr kredi nëpër bankat tregtare të Kosovës është rritur në 13 mijë deri në nëntor të vitit 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gati 200 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi gjatë këtij viti. Ndërkaq, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor është rreth 5 miliardë euro. Krahas kësaj, rritje ka shënuar edhe norma mesatare e interesit për dy për qind, sa ishte 6.2 për qind vitin e kaluar.
Kamatat janë rritur dhe nuk janë të favorshme e thonë edhe qytetarët, për çka tregojnë se për shkak të standardit të jetesës që kanë, obligohen që të hyjë në borxhe. Për KosovaPress, qytetari Hysni Thaçi tha se familjarë të tij kanë marrë kredi, për çka tha se u janë shfaqur vështirësi në kthimin e mjeteve. Ndërkaq, një tjetër qytetar e quan “fajde” normën e interesit. Sipas Sabri Rexhës, përveç nevojës, “njerëzit e kanë shprehi, nuk mund të jetojë pa borxhe”.
Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës thonë se numri i përgjithshëm i kredi marrësve është 118 mijë e 102 deri në nëntor, rreth 13 mijë më shumë se vitin e kaluar. Në një përgjigje me shkrimn për KosovaPress, nga BQK theksojnë se shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor të këtij viti është 4.8 miliardë euro. Ata shtojnë se norma mesatare e interesit për kreditë e reja në muajin tetor 2023 përllogaritet 6.4%, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar përllogaritej 6.2%.
Po ashtu, edhe nga Shoqata e Bankave të Kosovës potencojnë se është rritur për mbi 1 miliardë euro vlera e kredive të reja të raportuara deri në shtator të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ata shtojnë se kjo vlerë është për 8.91% më e lartë se në vitin 2022. Ndërsa, themeluesi i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa, Fehmi Mehmeti thekson se rritja e kreditimeve vazhdon të jetë e lartë, sidomos pas pandemisë. Këtë rritje, Mehmeti e vlerëson si të mirë, pasi sipas tij ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Përveç kësaj, ish-guvernatori i BQK-së tha se pandemia ka ndikuar edhe në rritjen e inflacionit. Ai potencoi se pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane për rritjen e normës së interesit për katër herë radhazi, duke vepruar njëjtë edhe Sistemi i Rezervës Federale Amerikane, që sipas tij është e ditur se kjo do të ndikonte në rritjen e inflacion në tërë Evropën, rrjedhimisht edhe në Kosovë.
Mehmeti shtoi se pret që të ketë ulje të inflacionit. Përveç rritjes së kredive, edhe depozitat kanë arritur në vlerën 5 miliardë e 875.9 milionë euro. Ndërsa, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur të sigurojnë profit të lartë gjatë periudhës janar-tetor 2023.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për dhjetë muaj të këtij viti nga kreditë bankare dhe shërbimet tjera, bankat komerciale kanë pasur fitim të pastër 141 milionë euro ose rreth 20 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të viti të kaluar.
Top Channel