Mbrëmja e ndërrimit të viteve, ashtu siç tradita e do, kalohet së bashku me familjen.
E ndërsa një pjesë zgjedh që të festojë në shtëpi me tryezën me ushqime tradicionale, të shumtë janë dhe ata që këtë mbrëmje duan ta kalojnë në restorante, ku darkën e kanë gati nën tingujt e muzikës.
Por gjithnjë e më shumë kanë nisur të preferohen edhe destinacionet europiane, gjë që ka ndikuar në rezervimet këtë vit brenda vendit.
“Ketë vit duket qe ka qenë pak me vakët se vitet e tjera. Një nga faktet është largimi masiv që po bëhet, i dyti është opsioni i ofertës së jashtme. Tani çdokush mund t’i hipi një avioni me shumë pak para dhe mund të largohet dhe të festojë vitin e ri ne destinacione turistike mjaft të bukura kështu që ne duhet të kuptojmë që tashmë konkurrenca bëhet jo vetëm brenda llojit në vend por bëhet dhe me vendet e tjera”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj.
Rritja e çmimeve që ka ndikuar në ekonominë e familjeve shqiptare, është reflektuar edhe në ofertat e bareve e restorantet për natën e krishtlindjeve dhe atë të vitit të ri, duke kapur shifrën e 200 eurove për person.
“Pjesa e çmimeve është diku nga 50 euro deri ne 150 apo 200 euro personi. Kjo varion pastaj mbi bazën sepse ka dhe oferta që bëhen me akomodim që do te thotë është darka plus akomodimi me hotel dhe ka oferta të tjera pastaj që janë vetëm për darkën ose për vazhdimin më tej. Pas orës 12 në të shumtën e rasteve nuk ka më një rezervim fiks, tashmë është bërë o me tavolina që thuhet në rastin konkret që duhet të ketë një konsum të detyruar që varion nga 200 euro e sipër ose me pije që secili zgjedh te pije sa të dojë dhe ka dhe një fee për hyrjen”, u shpreh Jahaj.
Më 31 dhjetor në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet do të jetë dhe koncerti i mbrëmjes së ndërrimit të viteve, ku 2024 do të pritet me spektaklin e fishekzjarrëve.
Top Channel