Sektori i Call Center-ave është më i madhi për punësimin e të rinjve në vendin tonë.
Referuar Institutit të Statistikave INSTAT, në 2015 kishte 25 mijë punonjës në këtë industri, ndërsa sot numërohen 11 mijë. Në kushtet kur numri sa vjen e zvogëlohet kompanitë Call Center kanë nisur të kërkojnë fuqi punëtore nga kontinente të tjera si Azia dhe Afrika.
“Faktorët që po ndikojnë janë, së pari ulja e numrit të të rinjve si pasojë e pakësimit të lindjeve dhe plakjes së popullsisë, së dyti është emigrimi i fashës punëtore, së treti janë pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës. Dhe së katërti është elementi siguri. Një pjesë e kompanive në këtë sektor janë përfshirë në aktivitete të paligjshme si bursa dhe skema mashtrimi. Dhe është e natyrshme që sa më i brishte zbatimi i ligjit aq edhe më e madhe pritja për ta zhvilluar aty këtë aktivitet të dyshimtë. Por sa më shumë integrohet Shqipëria në Bashkimin Europian aq më shumë forcohet legjislacioni.
Po shohim një përsëritje të historisë. Siç erdhën këto aktivitete Call Center-i nga Italia dhe shtete të pasura të BE-së dhe u vendosën në Shqipëri në vitet 2010, për shkak të fuqisë së lirë punëtore, në kushtet kur pagat tek ne po rriten me shpejtësi, dy janë mundësitë e këtij sektori tani. Ose do t’u drejtohen vendeve me fuqi punëtore të kualifikuar dhe më kosto të ulët siç janë ata nga Lindja e Largët, si Filipinet, Bangladeshi, India apo vende të Afrikës Veriore, që është gjithashtu konkurrente e fortë, ose këto biznese do të detyrohen të mbyllen”, shprehet Gjergj Buxhuku, ekspert për ekonominë.
Top Channel