Arqipeshkvi i Shkodres, Imzot Angelo Massafra ka shpërndarë mesazhin tradicional të Krishtlindjes, ku uron “për shumë vjet të gjithë Katolikëve, Ortodoksëve, të Krishterëve dhe njerëzve vullnet mirë”.
Në urimin e tij, Imzot Massafra ndalet te familja, ndërsa shprehet se kjo festë duhet të na kujtojë jo vetëm rëndësinë e lindjes së Krishtit dhe rëndësinë e saj për historinë e njerëzimit, por duhet të na rikthejë te Ai dhe te mësimet e tij.
“Urimi im më i sinqertë mbërriftë te të gjithë, veçanërisht te të varfërit, të sëmurët, të burgosurit, tek ata që nuk shpresojnë më në një të ardhme më të mirë: lindja e Krishtit qoftë ngushëllim dhe paqe për të gjithë”, shprehet Massafra.
Mesazhi i plotë i Imzot Angelo Massafrës:
Festa e Lindjes së Jezu Krishtit kujtohet në mënyrë liturgjike përmes një kënge të lashtë gregoriane, që e paraqet Atë brenda historisë së njerëzimit, jo në një kohë të përgjithshme, por të saktë; për të treguar se i Amshueshmi hyn në kohë për të qenë Hyji-me-ne.
Domethënë, jo një Hyj i largët, i paarritshëm, por një Hyj që bëhet konkret në fytyrën e një fëmije, të Fëmijës së Shenjtë të Betlehemit, Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë.
Është e mrekullueshme metodologjia e Hyjit që shoqëron njerëzimin për të ecur me ne: një metodologji nga e cila kemi kaq shumë për të mësuar!
Neve, që tregtojmë vlerën e paçmueshme të familjes njerëzore, Ai na paraqitet si Biri i Marisë dhe i Jozefit, sepse – na mësoi – ‘njeriu do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm’ (Zan 2,24).
Neve, vazhdimisht nën shtytjen e tundimit të vetëmjaftueshmërisë dhe të egocentrizmit, Ai na paraqitet si Samaritani i Mirë, sepse – thotë – ‘duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju’ (Gjn 15,12).
Kjo festë duhet të na kujtojë jo vetëm rëndësinë e lindjes së Krishtit dhe rëndësinë e saj për historinë e njerëzimit, por duhet të na rikthejë te Ai dhe te mësimet e tij.
T’i zbukurojmë rrugët tona, të bëjmë që në ta të tingëllojnë meloditë tipike të kësaj periudhe, por ta kthejmë këtë festë te Krishti: të mos festojmë më pa të Festuarin!
Të përgatisim një vend për të në shtëpitë tona, në ndërgjegjet tona, duke zbukuruar zemrat tona me përvuajtërinë e atyre që e dinë se duhet të mirëpresin një mik të rëndësishëm.
T’i përgatisim një vend në tryezat tona të mbushura plot në personin e të varfërve, që, në këtë ditë, të kenë një vakt të ngrohtë.
T’i përgatisim familje që jetojnë dimensionin e dashurisë, që kur të vijë të gjejë ngrohtësinë e dashurisë familjare, të dashurisë vëllazërore.
T’i përgatisim një botë më njerëzore – të cilën Ai e do aq shumë – duke ndihmuar jo vetëm ata që kanë nevojë, por vetë shoqërinë në të cilën jetojmë, duke mos rënë nën tundimin për t’u arratisur, por duke iu hapur bujarisht angazhimit qytetar.
Nuk mjafton ta quajmë veten të krishterë, por, siç na kujton Papa Shën Leoni i Madh, ‘Njihe, o i krishterë, dinjitetin tënd dhe, duke u bërë pjesëmarrës në natyrën hyjnore, mos dëshiro të kthehesh në një sjellje të padenjë’. Nuk mjafton të hyjmë në kishë për të përmbushur një detyrë, por duhet të ushqehemi me Krishtin, Fjalën dhe Bukën, në mënyrë që ‘Hyji të jetë gjithçka në të gjithë’ (1Kor 15,28).
Këtë vit festojmë tetëqindvjetorin kur Shën Françesku i Asizit pati intuitën për të rikrijuar mjedisin ku lindi Jezusi dhe i cili, që atëherë, është bërë traditë në kishat dhe në shtëpitë e të krishterëve. Por Françesku nuk u shty nga një impuls thjesht fëmijëror dhe emocional, por nga dëshira për të soditur atë përvuajtëri të Hyjit, i cili “edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz” (Fil 2,6-7). Ajo ngjarje e vitit 1223 u kremtua gjatë Meshës, vendi ku Jezu Krishti e bën veten të pranishëm si Fjalë dhe si Bukë.
Qoftë kjo festë e Lindjes së Jezu Krishtit rasti për një bashkëngjitje të ripërtërirë personale dhe bashkësiore me Të, duke mësuar prej Tij rregullën e dashurisë. Vetëm dashuria mund t’ia ndryshojë fatin kësaj bote, tashmë (për fat të keq!) të mësuar me luftëra dhe kaq shumë vuajtje.
Top Channel