Kompanitë eksportuese dhe prodhuese do të shkurtojnë vendet e punës pasi po prodhojnë më pak, duke ndikuar në tregun e punës.
Eksportuesit në një deklaratë kanë kërkuar marrje të masave ose në të kundërt lajmërojnë edhe për protesta.
Shumica e këtyre kompanive eksportuese gjithashtu po mbyllin aktivitetin për shkak të rënies së vlerës së shitjeve nga forcimi i shpejtë i lekut dhe rritja e kostove direkte apo ndikimi i inflacionit. Si pasojë, kjo masë drastike ndikon në rritjen e papunësisë me të paktën 6% nga niveli aktual, ku kryesisht papunësia më e madhe do të ndihet te të punësuarat dhe të rinjtë.
Përfaqësuesit e grupeve të eksportit dhe sindikatave në një takim me Organizatat e Shoqërisë civile në mbrojtje të të drejtave të punonjësve, u kërkua nevoja për të matur ndikimet e kësaj situate, me atë të statistikave të sakta.
Sipas eksportuesve, këta punëtorë dhe biznese janë lënë të vetëm dhe Qeveria këtë krizë e sheh përmes dy qasjeve: atë të lënies në dorë të tregut të adresojë problemet duke e konsideruar si një dështim të modelit të biznesit, si dhe trajtimin sipas kuadrit ligjor për papunësinë dhe për ofertën për punë në sektorë të tjerë nëse ndodh masivisht mbyllja e aktiviteteve prodhuese dhe eksportuese.
Ata kërkojnë mbështetje nga organet përkatëse, në rastin e humbjes së biznesit apo të vendeve të punës duke propozuar një dialog mbi situatën në Këshillin Kombëtar të Punës. Në rast se nuk do të merren masa, eksportuesit dhe sindikatat kanë paralajmëruar protestë përballë Kryeministrisë në Janar.
Top Channel