Ushtria e Ukrainës kërkon të mobilizojë deri në 500,000 trupa shtesë, ka zbuluar presidenti Volodymyr Zelensky, ndërsa lufta me Rusinë po i afrohet dy viteve.
Në një konferencë shtypi në Kiev, ai tha se komandantët e tij po kërkonin “450,000-500,000 individë”, duke pranuar se kjo ishte një çështje “e ndjeshme” dhe e kushtueshme, sipas mediave të huaja.
Ai tha se i duheshin më shumë detaje përpara se të mbështeste lëvizjen, duke lënë të kuptohet se 500,000 ushtarë ishin tashmë në front. Komentet e tij vijnë pas pengesave të ndihmës nga SHBA dhe BE.
Republikanët në Kongresin e SHBA fillimisht bllokuan një paketë ushtarake prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën në fillim të këtij muaji.
Këtë javë, përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit thanë se SHBA po planifikonte një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën, por se kishte kufizime për të dërguar më shumë ndihmë pas kësaj, nëse Kongresi nuk vepronte.
Pengesa e SHBA u pasua nga bllokimi nga Hungaria të marrëveshjes së ndihmës financiare të BE-së prej 50 miliardë eurosh javën e kaluar.
Megjithatë udhëheqësit e BE-së thanë se Ukraina nuk do të mbetet pa mbështetje.
Ukraina po përballet me një mungesë municionesh ndërsa vazhdon të luftojë forcat pushtuese ruse, që prej 24 shkurtit të vitit 2022.
Presidenti rus Vladimir Putin tha këtë javë se Moska do të vazhdojë pushtimin e saj, duke u zotuar se të gjitha qëllimet e tij do të arrihen.
Udhëheqësi i Kremlinit tha gjithashtu se 617,000 ushtarë rusë po marrin pjesë aktualisht në atë që Moska e përshkruan si “operacionin e saj special ushtarak”. Por ai pranoi se forcat e armatosura kishin probleme me sistemet dhe komunikimin e mbrojtjes ajrore dhe duhej të rrisnin prodhimin e dronëve.
Konferenca për shtyp e fundvitit të Presidentit Zelensky u mbajt në kryeqytetin ukrainas të martën, në një vend të fshehtë.
“Më duhen specifika: çfarë do të ndodhë me ushtrinë milionshe të Ukrainës, çfarë do të ndodhë me ata djem që po mbrojnë shtetin tonë për dy vjet? Kemi çështje të rotacionit dhe pushimeve. Duhet të jetë një plan gjithëpërfshirës.”
Por ai përjashtoi çdo propozim për mobilizimin e grave. Kur u pyet nga Jessica Parker e BBC-së nëse Ukraina mund të jetë në prag të fillimit të humbjes së luftës, Zelensky i vendosur tha “Jo”.
Gjatë konferencës, Zelensky tha gjithashtu se: Ukraina do të mund të prodhojë një milion drone në vitin 2024.
Top Channel