Gjatë 2023-it investimet publike janë realizuar me më pak fonde të huaja. Qeveria ka ndryshuar nëpërmjet akteve normative dy herë buxhetin gjatë këtij viti.
Në të dyja herët financimet nga donatorët e huaj janë rishikuar me ulje. Financimet e huaja për investime publike në total janë ulur nga 45.66 miliardë lekë në fillim të vitit, në 25.3 miliardë lekë, gati 50%.
Në aktin e parë normativ, financimi i huaj u reduktua me 13.1 miliardë lekë, ku më të prekurat ishin projektet në infrastrukturë me 9 miliardë lekë më pak. Këto përfshijnë projekte si ndërtimi i rrugës Qukës – Qafë Pllocë, disa projekte për modernizimin e infrastrukturës së ujësjellësit, si dhe një projekt madhor mbështetje për energjinë. Të prekura janë edhe disa projekte në transportin hekurudhor.
Në aktin e dytë normativ, financimi i huaj u reduktua me 7.2 miliardë lekë. Në relacion qeveria bën me dije se nuk u arritën të disbursoheshin 4.1 miliardë lekë për ministrinë e mbrojtjes në investimin që do bëhej në repartin ushtarak të Tiranës për forcat e luftimit, ndërsa 1. 7 miliardë lekë nuk iu akorduan sërish Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Qeveria rriti vlerën e shpenzimeve kapitale gjatë këtij viti duke akorduar 12 miliardë lekë më shumë për projektin e Rindërtimit. Ndërkohë shprehet se ka mbështetur me fonde të brendshme projektet rrugore, projektet e ujësjellësve, si dhe projektet e AKSHI-t, në programin e-qeverisja.
Top Channel