Nis zbatimi i programit të kredive të favorshme për shtëpi në familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në fjalën hapëse të eventit, ministri i Financave Ervin Mete ka deklaruar se ky është vetëm fillimi i një rruge të re mbështetjeje afatgjatë për familjet e reja të atyre që i shërbejnë ditë-natë shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Metes, nisma e marrë për herë të parë këtë vit për të mbështetur me kredi me zero interes 300 punonjës të rendit, mbrojtjes dhe shëndetësisë, do të shtrihet më tej vitin e ardhshëm me qëllim përmbushjen e nevojave të atyre që jetojnë larg vendeve të punës, apo strehimit.
“Të dashur punonjës të Policisë së Shtetit, të forcave të armatosura dhe personelit mjekësor. Është kënaqësi e veçantë për mua të kem fjalën hapëse në këtë event sot, si një shprehje e mbështetjes dhe angazhimit të Qeverisë për një trajtim dinjitoz dhe cilësor të punës dhe të shërbimit tuaj.
Njëkohësisht, kjo mbështetje që jepet sot për ju, në formën e kredive me zero interes, është shprehje e detyrimit tonë që momentin e mirë ekonomik që po kalon vendi, pasi është përballur me një sërë krizash, ta përkthejmë në më tepër solidaritet dhe një rishpërndarje edhe më të drejtë në funksion të mirëqënies së qytetarëve.
Ky është një program, i aplikuar për herë të parë këtë vit, mundësuar përmes ndryshimeve të posaçme ligjore, administruar online në e-Albania, si një zgjerim i programeve të strehimit, duke mundësuar në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë kredi të lehtësuara, interesi i së cilave subvencionohet tërësisht nga buxheti i shtetit.
Ju jeni shpallur fitues, sipas procedurave dhe kritereve përzgjedhëse, pas administrimit të një numri të konsiderueshëm kërkesash. Dhe jam i bindur që ky lajm sot ju gëzon jo vetëm ju, por patjetër edhe familjarët tuaj në këtë prag festash, pasi sigurimi i kushteve të përshtatshme të strehimit është thelbësor dhe me rëndësi të veçantë për standardet e jetesës.
Në këtë frymë, iniciativën e këtij viti, për të mbështetur me kredi me zero interes 300 punonjës të rendit, mbrojtjes dhe shëndetësisë, do ta shtrijmë edhe në vitin tjetër, me synim për të përmbushur sa të e jetë e mundur nevojat e punonjësve që jetojnë larg vendeve të punës, apo që kanë nevojë për më shumë hapësira për strehim.
Synimi është gjithashtu që vitin tjetër të konsiderohet edhe zgjerimi i përfituesve dhe kategorive nga këto lehtësi. Siç e dini, kemi alokuar gjithashtu, një fond të posacëm për rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, në mënyrë që të avancojmë me një rritje domethënëse të pagave për sektorin publik, patjetër përfshirë edhe sektorin e rendit, të mbrojtjes dhe të shëndetësisë, me synimin për të ofruar punësim cilësor, një pagë konkurruese edhe në rajon dhe me ambicjen për të mos ndaluar këtu, por për të vazhduar më tej drejt një mbështetje më të madhe të shërbyesve publikë.
Me të njëjtën shprehje solidariteti, ne aktin normativ që sapo miratuam, ju kemi dhënë mbështetje shtresave në nevojë, si edhe pensionistëve, të cilët morën bonusin e dytë brenda këtij viti, me synimin që gjatë vitit të ardhshëm të angazhohemi në një diskutim të thelluar për reformimin si të skemës së sigurimeve shoqërore, pra të pensioneve, ashtu edhe të shtyllave të tjera të mbrojtjes sociale për shtresat në nevojë. I njëjti akt normativ akordoi edhe kompensimin ushqimor për punonjësit e Policisë së Shtetit, pikërisht nën frymën e një trajtimi dinjitoz të atyre që shërbejnë nën uniformën e shtetit shqiptar”- tha Mete.
Top Channel