​ Pas atentatit ndaj separatistit, Modi thotë se disa ‘incidente të vogla’ nuk prishin lidhjet Indi-SHBA

20/12/2023 21:48

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi u zotua sot të hetonte mbi akuzat e tentativës së atentatit ndaj një eksponenti separatist indian në SHBA, duke u justifikuar se “disa incidente të vogla” nuk mund të nxjerrin nga binarët lidhjet diplomatike mes dy vendeve.

Kjo është hera e parë që Modi flet publikisht për çështjen pasi SHBA akuzoi Indinë për tentativën e vrasjes së separatistit indian të besimit sikh, Gurpatwant Singh Pannun, një qytetar amerikan që është etiketuar si terrorist në Indi.

Ky i fundit mohon çdo aktivitet ilegal.

Duke folur me rrjetin britanik Financial Times, kryeministri Modi tha: “Nëse dikush në jep një informacion ne sigurisht do ta studiojmë”, ndërsa shtonte shqetësimet e tij për grupe separatiste që punojnë nga vende të tjera.

Ai i referohej organizatave si ajo e Pannun që mbron krijimin e një shteti të pavarur Sikh, që në Indi tashmë njihet si lëvizja Kalistan.

“Këta elementë, të maskuar me lirinë e shprehjes janë përfshirë në intimidime dhe kanë nxitur dhunë”, shtoi ai.

Kryeministri indian tha se këto akuza dhe ato të mëparshme për një tentativë të ngjashme atentati ndaj një tjetër lideri Sikh në Kanada, nuk mund të prishin lidhjet mes Indisë dhe SHBA.

“Siguria dhe bashkëpunimi i anti-terrorizmit janë pjesa kryesore e partneritetit tonë”, shtoi ai.

“Nuk është mirë të lidhësh disa incidente të vogla me marrëdhëniet tona diplomatike”.

“Duhe të pranojmë se jemi tashmë në epokën e multilateralizmit. Bota është e ndërlidhur dhe njëkohësisht e pavarur. Ky realitet na detyron të pranojmë se nuk duhet të ketë marrëveshje absolute për të gjitha çështjet, që ne të bashkëpunojmë”.

Më herët SHBA kishte ngritur shqetësime me New Delhi për një komplot për vrasjen e Pannun.

Ndërsa më herët Kanadaja tha se qeveria indiane kishte tentuar të vriste aktivistin sikh Hardeep Singh Nijjar.

Asokohe India refuzonte akuzat si absurde, por Kanadaja dëboi një diplomat indian dhe masa u ndoq nga një ekuivalente nga India.

Në nëntor SHBA tha se një zyrtar indian kishte paguar $100,000 për realizimin e vrasjes së Pannun.

Në dokumentet gjyqësore thuhej se 52 vjeçari Nikhil Gupta, qytetar indian, ishte ngarkuar dhe paguar për të kryer vrasjen.

Gupta u arrestua në qershor në Çeki, vend i cili ka një marrëveshje ekstradimi me SHBA, sipas rrjetit Associated Press.

Zyrtarët në SHBA thanë se komploti ka lidhje direkte me qeverinë indiane prej një punonjësi sigurie të qeverisë indiane të përfshirë, sipas dokumente të para nga rrjeti AP, shkruan rrjeti britanik The Independent.

FOTO GALERI
1/3
Separatisti indian i besimit sikh, Gurpatwant Singh Pannun, një qytetar amerikan që është etiketuar si terrorist në Indi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA