Shfaqja “Zbulimi”, që bëri bashkë çiftin e mirënjohur të aktorëve Salsano Rrapi dhe Erjona Kakeli u shfaq mbrëmjen e së hënës në Teatrin Kombëtar dhe do të vijojë të shfaqet për publikun deri më 21 dhjetor.
Dashuri, komedi dhe romancë në këtë atmosferë festash. Regjia këtë herë vjen nga vetë Salsano Rrapi.
“Zbulimi” nga John McCann është përshtatur në shqip, dhe adaptuar për skenë, duke e sjellë më shumë si një komedi romantike familjare dhe aktuale. Bëhet fjalë për një çift që edhe pse të divorcuar kanë ndjenja për njeri-tjetrin, kanë lidhje të pashmangshme me fëmijët, të cilët si në çdo familje kanë lidhje të fortë me njërin nga prindërit etj.
Vepra flet për një ministre që duhet të bëjë një fjalim dhe ka marrë propozim nga i dashuri për martese dhe paralelisht i vjen ish-bashkëshorti, për të marrë disa gjera të shtëpisë meqenëse është martuar me një grua më të re dhe pret të bëhet baba! Do të ndajnë të gjitha orenditë e shtëpisë së plazhit që do shesin dhe secili të marrë ato që dëshiron dhe disa t’i çojnë për ankand.
Këtu mes kujtimesh dhe sqarimesh e rikthimesh ndjenjash, emocionesh krijohen situata komike dhe kuptojnë që janë ndarë pa një shkak/ arsye të fortë dhe që ende e duan njëri-tjetrin.
Si do të shkojë historia e kësaj romance komike. Zbulojeni në Teatrin Kombëtar ArTurbina.
Top Channel