Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha vendimin sot Kristo Agalliun dhe Agron Durajn, të akuzuar për korrupsion në zgjedhje.
Pas kërkesës së SPAK, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloi, Erjon Bani dhe Atalanta Zeqiraj vendosën deklarimin fajtor të të pandehurit Kristo Agalliu, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 vit burgim, të cilit i ulet me 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 8 muaj burgim.
Kristo Agalliu do ta kryejë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.
Ndërsa për Agron Durajn, GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë të pandehurit për një periudhë kohe prej 16 muajsh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale.
Gjatë kësaj kohe i pandehuri duhet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion dërgoi për gjykim Kristo Agalliun dhe Agron Durajn, të cilët u kapën duke kryer pazare për shitje-blerje votash, para zgjedhjeve lokale të 14 majit, në shtator të këtij viti.
Kristo Agalliu u kap në zonën e Freskut, duke negociuar në telefon me Agron Durajn për të shitur katër vota të familjes së tij kundrejt shumës 150 mijë lekë të vjetra. 51-vjeçari kërkonte t’i paguhej dhe karburanti për të shkuar deri në Kuçovë aty ku edhe do të votonte.
“100 mijë lekë është turp. Hajde t’ja marrim kot, por turp 100 mijë lekë. Po mirë t’i dy vota ke, unë kam katër vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën e tij unë! Po të më hedhë karburantin ai… Thoji kështu, më dëgjo, i thuaj 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë, hajde pazari i fundit”, ishte biseda e Kristo Agalliut me Agron Durajt përmes telefonit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Top Channel