Ikona, piktura, kokë mermeri e periudhës para lindjes së Krishtit/ Trafik veprash arti Greqi-Shqipëri, goditet grupi kriminal

19/12/2023 10:17

Një grup kriminale që trafikonte vepra arti nga Greqia në Shqipëri është goditur nga policia në Fier.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Drejtues i Parë Lorenc Panganika dhe Prokuror Elvis Alliaj, nk një deklaratë për shtyp dha detaje për operacionin policor të koduar “Vlera”, i cili u zhvillua pas 5 muajve hetime.

Gjatë këtij operacioni, u ushtrua kontroll në dy banesa në qytetin e Fierit, konkretisht në banesat e shtetasve Sh. K. dhe P. P., ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 107 vepra arti të dyshuara të trafikuara nga shteti grek, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit, të gjitha këto me vlerë rreth 1.5 milionë euro, si dhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një peshore elektronike.

Policia arrestoi Sh. K., 51 vjeç dhe P. P., 57 vjeç, të dy banues në Fier, për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimi rezultoi se këta të dy, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kanë trafikuar vepra arti nga shtetit grek, për t’i shitur në Shqipëri.

Vijon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë.

Gjithashtu do të bashkëpunohet me Policinë greke, për të zbardhur dhe dokumentuar këtë veprimtari kriminale dhe për të çuar përpara drejtësisë edhe shtetasit e tjerë të implikuar.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier janë angazhuar maksimalisht gjatë muajve të fundit, për goditjen e veprimtarive kriminale në të gjitha fushat. Në kuadër të megaoperacioneve kombëtare “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit” janë çuar përpara përgjegjësisë penale, 64 shtetas të implikuar në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, shtetas që qarkullonin me armë zjarri, të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale etj. Gjithashtu, gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar armë, drogë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Top Channel