EPCA kërkon mbështetjen e fermerëve: Subvencionet të kalohen direkt në llogarinë e tyre

19/12/2023 10:22

Shoqata e Kultivuesve Përpunuesve të Bimëve Aromatike Mjekësore Shqiptare përmes një deklarate për shtyp që i dedikohet prodhimit vendas, ka kërkuar mbështetje për fermerët.

Shoqata e Eksportuesve të Bimëve Aromatike dhe Mediciniale shprehet se eksportet e tyre janë goditur rëndë nga forcimi i lekut dhe kërkojnë reforma të thella strukturore nga qeveria për t’i mbështetur. Grupi shprehet se ka rënie me 40% të eksporteve gjatë 11 muajve të parë të vitit.

“Le të kthejmë fytyrën realisht nga bujqësia, nga ai që punon tokën, ai që e vjel prodhimin, ai që e shet prodhimin në bazë të ligjeve Shqiptare, i pajisur me NIPT fermeri dhe paratë i qarkullojnë me bankë. Ky është fermeri i vërtetë europian, që duhet të konkurrojë nē tregjet botërore. Por çfarë po ndodh me fermerët e vërtetë, ku vetëm në industrinë tonë mbahen 4000 familje, ku fermeri punon, prodhon, administron dhe tregton në mënyrë ligjore dhe mbështetjen e ka zero!

Ky fermer me NIPT që punon me fatura fiskale pikërisht ky fermer bëhet viktime e abuzuesve, atyre që  për fat të keq  kanë kopsitur letrat mbase edhe false me certifikata pronësie, me kontrata noteriale, miqësi, ryshfete e pehlivanllëqe futin paratë në xhep. Kjo është e pa drejtë dhe nuk duhet lejuar”, u shpreh Xhevit Hysenaj, kryetari i shoqatës EPCA.

Shoqata e Bimëve, Esencave dhe Kultivuesve Shqiptarë të Agrobiznesit EPCA ka bërë thirrje që sytë të drejtohen drejt fermerëve shqiptarë, përndryshe edhe ata që kanë ngelur, do marrin rrugën e emigrimit për mos u kthyer më kurrë.

“E para subvencionet, cilat do qofshin ato, të kalohen direkt në llogarinë e fermerëve, sapo ata të marrin faturën fiskale të dorëzimit të produktit bujqësor të tyre në fabrikat e përpunimit. Kjo rrugë shmang abuzimin, shkon shpërblimi tek fermeri por edhe formalizon industrinë përpunuese të agro-biznesit.

Me realizimin e kësaj, zgjidhet kjo situatë. Kërkon vetëm vullnet dhe aspak buxhet të shtuar nga ana e qeverisë, por menaxhim të mirë të këtij buxheti

Dhe e dyta një auditim për të gjitha ato kompani të cilat kanë qenë përfituese të programeve të ndryshme të subvencionimit te kontrollohen nga tatimet. Në rast se ato nuk kanë rezultuar transparente dhe efektive të merren masa konkrete dhe të mos mbështeten më. Ndërsa ato që kanë kthyer investimin, të vlerësohen e mbështeten se bashku me fermerët paralel. Kjo do të rriste konkurrencën e ndershme dhe do t’i vinte fre korrupsionit”, u shpreh kreu i EPCA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA