Bashkimi i votës me PS për arrestimin e Berishës, PD: Deputetët të jenë pa imunitet, reforma prodhoi drejtësi të pavarur

19/12/2023 12:23

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend projektvendimin për ndryshimin e rregullores së brendshme të Kuvendit.

Grupi Parlamentar i PD-së kërkon që çdo deputet të lërë imunitetin brenda pesë ditëve nga zgjedhja.

Në projektvendimin e dorëzuar në Kuvend propozohet që “Brenda 5 ditëve nga data e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit ose e marrjes së mandatit gjatë legjislaturës, çdo deputet ftohet nga Kryetari i Kuvendit të depozitojë autorizimin për lejimin e e ushtrimit të ndjekjes penale, marrjes së masës së sigurimit personal arrest me burg, apo arrest në shtëpi, kontrollin e personit apo të banesës. Autorizimi i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit, i cili njofton menjëherë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar”.

Sekretari për reformën zgjedhore dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së, Rezart Kthupi: Partia Demokratike ka mbajtur një qëndrim konstant dhe koherent mbi imunitetin e deputetit, duke e konsideruar këtë të fundit një rudiment dhe një simbol të pabarazisë ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurve.
Në vazhdën e këtyre qëndrimeve të kahershme, Parita Demokratike ka depozituar ditën e djeshme një projekt propozim në kuvendin e Shqipërisë me qëllim krijimin e mekanizmit ligjor për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve.
Projekt vendimi për ndryshimin e rregullores së kuvendit krijon bazën ligjore që deputetët brenda 5 ditësh nga miratimi i propozimit dhe brenda 5 ditësh nga fillimi i legjislatuarës të depozitojnë pranë kryetarit të kuvendit një deklaratë me shkrim me të cilën heqin dorë nga procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit duke i hapur plotësisht rrugën drejtësisë në marrjen e masave ndaluese të arrestit në rastet e hetimeve penale në ngarkim të tyre.
Partia Demokratike vlerëson se reforma në drejtësi, të cilën ajo e ka mbështetur në cdo hap, ka prodhuar më në fund një drejtësi të pavarur nga politika, e cila ka krijuar besimin dhe ka mbështetjen e gjerë qytetare në punën e saj për hetimin dhe goditjen e korrupsionit e lartë të politikës dhe administratës shtetërore.
Në kushtet e një drejtësie të pavarur partia demokratike vlerëson se çdo qëndrim kundër heqjes së plotë të imunitetit për deputetët është një tentative për të mos lejuar hetimin e korrupsionit të politikanëve apo të njërëzve të lidhur me ta. Ftojmë të gjithë deputetët e kuvendit të shqipërisë që të votojnë projekt vendimin e depozituar nga Partia Demokratike si shenjë e vullnetit të tyre në luftën kundër korrupsionit dhe besimit në organet e drejtësisë.

Top Channel