Vrau me thikë 28-vjeçarin dhe i plagosi të vëllanë në Elbasan, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Ardit Hidën

18/12/2023 16:35

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka kërkuar deklarimit fajtor të të pandehurit Ardit Hida dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Hida akuzohet për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal në dëm të viktimave Florenc Kovaçi dhe Mikel Kovaçi.

Ngjarje e rëndë ka ndodhur në datë 05.11.2021, në vendin e quajtur “Sporti Vjetër” Elbasan, ku i pandehuri me dashje ka qëlluar me mjet të mprehtë në drejtim të dy vëllezërve, duke shkaktuar vdekjen e 28-vjeçarit Florenc Kovaçi dhe të plagosë rëndë vëllanë e tij Mikel Kovaçi.

Policia arriti të arrestojë autorin vetëm pak orë pasi kishte ndodhur ngjarja, në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese” në qytetin e Elbasanit.

Hida para gjykatëses, në 8 nëntor të vitit 2023, ka rrëfyer se ka qenë i dehur në momentin kur ka shkuar në lagjen “Beqir Dardha”. Ai është shprehur se pasi kishte konsumuar edhe një birrë tjetër në një lokal, pranë zonës ku ndodheshin dy vëllezërit Kovaçi dhe një tjetër, vendosi të shkojë tek ata për t’i paralajmëruar që të mos e ngacmonin motrën e tij, e cila ishte vetëm 14 vjeçe. 24-vjeçari, deklaroi se pas këtij paralajmërimi, dy vëllezërit kishin reaguar duke e kërcënuar se do t’i bënin atë që s’i shkonte as ndërmend.

Top Channel