Seanca gjyqësore për vlerësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit për Sokol Mjaçajn dhe zyrtarët e burgut të Peqinit do të zhvillohet të martën ora 10.00 në Gjykatën e Elbasanit.
Prokurori i çështjes është Xhelian Seferi dhe gjyqtare Yrfet Shkreli.
Një ditë më parë u dorëzua kërkesa në Gjykatën e Elbasanit për vleftësimin e ndalimeve dhe caktimin e masës së sigurimit.
Prokuroria e Elbasanit kërkoi masën e arrestit me burg për Sokol Mjaçajn dhe 12 zyrtarët e IEVP Peqin të ndaluar një ditë më parë.
Të ndaluar janë drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha; Qani Muça, shefi i regjimit të godinës “41 biss”, Nikolin Gjonpalaj, ish shefi i policisë së burgut të Peqini; Vilson Shima, shef i regjimit të godinës B ; Arben Dulellari, Specialist informacioni, salla operative IEVP Peqin; Fatos Pire, polic shërbimi, përgjegjës sektori kati i parë, godina B; Ilir Balla, punonjës shërbimi godina B; Florenc Mile, polic shërbimi tek godina B; Genci Muça, shërbim në kollonë, godina B; Indrit Dubali, punonjës roli bazë, godina B; Klement Haka, punonjës i rolit bazë, godina B dhe Erjon Çela, polic shërbimi, godina B.
Si ndodhi ngjarja?
Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, qëlloi dje me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën.
I dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.
Top Channel