Pjesëmarrësit theksuan se integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike mbetet një çështje me përparësi. Kryesimin e nismës nga fillimi i vitit të ardhshëm do ta marrë Shqipëria.
Komisioni për partneritet i Kartës së Adriatikut të njohur si A5 vlerësoi rolin e Maqedonisë së Veriut gjatë kryesimit të kësaj nisme që gëzon mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në komision ishin të pranishëm dy ministrat e punëve të Jashtme, Bujar Osmani i Maqedonisë së Veriut dhe Igli Hasani i Shqipërisë, e cila do të marrë kryesimin e A5-s nga 1 janari, 2024.
Në takim u diskutua mbi arritjet dhe të ardhmen e Kartës si dhe për gjendjen aktuale në Ballkanin Perëndimor.
Kreu i diplomacisë shqiptare, Igli Hasani tha se që prej nënshkrimit 20 vjet më parë në Tiranë , Karta e Adriatikut i ka shërbyer përpjekjeve drejt integrimit të plotë euroatlantik dhe forciminit të bashkëpunimit të mëtejshëm rajonal në fushën e sigurisë.
“Nënvizojmë rolin e SHBA-ve në konsolidimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe ndihmesën e tyre të çmuar në rrugëtimin tonë euroatlantik”, tha zoti Hasani.
Anëtarët e Kartës presin që vendet vëzhguese si Kosova, Serbia dhe Sllovenia të përfshihen si anëtare të plota të A5-ës. Zoti Hasani tha se vendi i tij do të përpiqet ta përshtasë Kartën më së miri në forcimin e përgjegjësive të përbashkëta ndaj kërcënimeve dhe sfidave aktuale të sigurisë.
Ministrat theksuan ndikimet negative dhe keqdashëse në rajonin e Ballkanit nga sulmi agresiv i Rusisë ndaj Ukrainës, ndërsa vunë në dukje nevojën për vëmendjen e vazhdueshme dhe angazhimin e NATO-s dhe të BE-së.
Të dy ministrat dënuan sulmin e grupit të aramatosur serb në veriun e Kosovës, ndërsa bënë thirrje për hetime të paanshme.
“Dënojmë në mënyrën më të ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit të kryer në Banjskë të Zveçanit nga paraushtarakët serbë kundër policisë së Kosovës dhe kërkojmë me vendosmëri që orkestruesit dhe autorët e këtij sulmi të mbajnë përgjegjësi para ligjit” theksoi ministri Hasanai.
Edhe homologu i tij, Osmani u shpreh ngjashëm, duke shtuar se: “është me shumë rëndësi që të identifikohen kryerësit por edhe të japin llogari për veprimet e bëra”.
Ndërkohë që zoti Hasani theksoi se Shqipëria do të angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut, Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani thekson një propozim për veprimin e mëtejshëm të Kartës që do të jetë bashkërendimi më i mirë ndërmjet vendeve anëtare të A5-ës në NATO, që të krijohen qëndrime të përbashkëta dhe ndihma për vendet të cilat janë në proces të anëtarësimit në Aleancën e NATO-s.
“Për shembull, Kosova fillimisht është kandidate për anëatrrësim në A5 dhe këtu Maqedonia e Veriut i jep mbështetje të plotë anëtarësimit të saj dhe mendojmë se në këtë mënyrë do të rrisim edhe më tepër stabilitetin, por edhe të nxisim rrugën euroatrlantike të BeH dhe të Kosovës”, u shpreh zoti Osmani.
Zyrtarët e A5-ës vlerësojnë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në BE është mënyra më e mirë e paqes dhe qëndrueshmërisë dhe e nxitjes së reformave të mirëfillta tek vendet e rajonit.
Në Kartën e Adriatikut bëjnë pjesë Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin një rëndësi te veçantë politike dhe strategjike kësaj nisme./ voa