Qeveria ka rishpërndarë sërish fondet buxhetore me një akt të dytë normativ brenda vitit.
Ndryshimi i buxhetit bëhet për shkak të mosrealizimit të programeve të caktuara dhe dërgimit të fondeve në programet e tjera me ecuri të mirë.
Në këtë rast performanca më e mirë është vërejtur te ministria e Infrastrukturës, ku me aktin e ri normativ, i janë shtuar 6.45 miliardë lekë, shumica prej tyre në transportin rrugor dhe infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit. Nga fillim-viti ky institucion ka marrë 13.6 miliardë lekë më shumë.
Ndërkohë i janë shtuar 2 miliardë lekë bashkive, duke i vendosur kushtin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura. Ndërsa 1.48 miliardë lekë shkojnë për mbështetjen e shtresave në nevojë. Nga krahu tjetër qeveria ka vendosur 3 miliardë lekësh si hua për shoqërinë AlbControl.
Çfarë bie tjetër në sy është fakti se me rishikimin e fundit, qeveria tregon se ka marrë 70 milionë euro më pak financim të huaj, gjë që ka ulur vlerën e shpenzimeve kapitale. 90% e vlerës së financimeve të huaja janë zëvendësuar me fonde të brendshme buxhetore.
Ndërkohë qeveria i ka hequr Ministrisë së Mbrojtjes pjesën më të madhe të fondeve me gati 4 miliardë lekë. Për herë të dytë shkurtohen fondet nga shëndetësia.
Te Ministria e Drejtësisë janë hequr rreth 2.2 miliardë lekë, kryesisht te zëri i kompensimit të pronarëve. Procesi ka ndalur pas një padie në gjykatë kushtetuese që po shqyrtohet.
Zbritje ka edhe për Fondin Shqiptar të Zhvillimit si dhe në programin qeveritar e-qeverisja. Në total, ministrive të linjës dhe institucioneve buxhetore u janë hequr 70 milionë euro.
Top Channel